Zyrtarë të Thesarit takohen me Kryeprokurorin e Prishtinës

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim përfaqësues të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke, si dhe Norman Richard Smith, Këshilltar për Krime Ekonomike në Zyrën për Asistencë Teknike.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua veçanërisht për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e pastrimit të parave, hetimin dhe zbulimin e veprave penale të natyrës financiare, si dhe adresimin e formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik.
“Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Departamenti i Thesarit Amerikan shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit, me qëllim të avancimit në drejtim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të suksesshëm të kriminalitetit ekonomik, me fokus të veçantë në luftimin e pastrimit të parave dhe formave tjera të krimeve financiare. Për fund, Kryeprokurori z. Gashi, i falënderoi të pranishmit për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe u zotua që Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me organet tjera ligjzbatuese, qoftë vendore apo edhe ndërkombëtare, me qëllim luftimin e dukurive negative dhe forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?