​Odat ekonomike publikojnë studimin mbi ndikimin e COVID-19 në ndërmarrjet në Kosovë

Anketa është kryer me 462 biznese

Për të matur ndikimin që masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë COVID19 kanë pasur në sektorin privat, pesë organizata që përfaqësojnë interesat e biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kanë kryer një anketë të përbashkët, rezultatet e së cilës janë shpërndarë sot tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Sipas kësaj ankete, të dhënat e të cilës janë analizuar nga Recura Financials, dhe e cila është kryer me 462 biznese në fillim të muajit prill rezulton se rreth 95% e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre e vlerësojnë si shumë negative. Përqindje po aq e lartë është gjetur edhe në vlerësimin e rënies së shitjeve, ku mbi 92% e bizneseve kanë deklaruar se kanë përjetuar zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese, prej të cilëve rreth 48% kanë raportuar rënie më madhe se 75%, derisa çereku i të anketuarve ka raportuar zvogëlim të shitjeve në normën mbi 50%.

Rëniet e shitjes rezultojnë të jenë në korrelacion të drejtpërdrejtë me aftësinë e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e bizneseve, meqë anketa më tej gjen se 83.6% e ndërmarrjeve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre për të punuar, me ç’rast 39% e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, 30.7% punojnë me kapacitet të reduktuar, ndërsa 13.8% punojnë me orar të shkurtuar. Vetëm rreth 2% e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia.

Mbi 60% e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID19 rrezikon mbijetesën e tyre. Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndjehen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65% të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 40% ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari ndjehe sektori i ndërtimtarisë me 75%, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë (57.3%), prodhimtaria (56.6%) dhe tregtia me shumicë (54.7%).

Për sa i përket numrit të punonjësve, 30% e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ku vetëm 10% e tyre kanë larguar deri në 30% të fuqisë punëtore. Ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla ku rreth 13.9% e tyre kanë larguar mbi 50% të të punësuarve.

Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia COVID19, ndërmar rjet raportojnë kryesisht për humbje financiare (78% e respodentëve), mungesë likuiditeti (44%), joefikasitet në punë (40%), humbje të kapaciteteve prodhuese (27%).

Më pak se 20% e ndërmarrjeve të anketuara shprehen si shumë të kënaqura me qartësinë e vendimeve të Qeverisë për masat kufizuese pas shpërthimit të pandemisë COVID19. Ndërsa për sa i përket vlerësimit të masave të vendosura nga Qeveria për mbështetje të sektorit privat, më pak se 6% e të anketuarve vlerësojnë se masat lehtësojnë në masë të madhe vështirësitë e të bërit biznes krahasuar me një përqindje të ngjashme të atyre që vlerësojnë se masat nuk lehtësojnë aspak vështirësitë e tyre. Në këtë mes, rreth 40% e ndërmarrjeve vlerësojnë se masat lehtësojnë shumë pak vështirësitë operacionale, pasuar nga 21% të tyre që besojnë se masat lehtësojnë mesatarisht vështirësitë e tyre.

Organizatat e biznesit përsërisin zotimin e tyre për t ë bashkëpunuar me institucionet e vendit për adresim të problemeve me të cilat sektori privat është ballafaquar pas shpërthimit të pandemisë COVID19, ndërsa edhe kjo anketë është dëshmi e këtij zotimi.

Back to top button