Amazon kufizon mallrat LGBT në Emiratet e Bashkuara Arabe

Gjigandi i shitjes me pakicë në internet Amazon ka kufizuar rezultatet e kërkimit në lidhje me personat LGBT në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Firma ndërmori hapin pasi thuhet se ishte nën presionin e autoriteteve.
Marrëdhëniet seksuale të të njëjtit seks janë të paligjshme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shprehja e mbështetjes për të drejtat LGBT mund të konsiderohet gjithashtu si një shkelje.
Lajmi vjen pasi muaji i Krenarisë, i cili i kushtohet festimit të personave LGBT në mbarë botën, po mbyllet, përcjell portali rtv21.tv
“Si kompani, ne mbetemi të përkushtuar ndaj diversitetit, barazisë dhe përfshirjes dhe besojmë se të drejtat e njerëzve LGBTQ+ duhet të mbrohen”, tha një zëdhënës i Amazon për BBC.
“Me dyqanet e Amazon në mbarë botën, ne gjithashtu duhet të respektojmë ligjet dhe rregulloret lokale të vendeve në të cilat operojmë”, shtoi ai .
Kompania mori vendimin për të kufizuar kërkimet pasi u kërcënua me ndëshkime nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas New York Times , e cila raportoi fillimisht historinë.
Në fillim të këtij muaji, Ministria e Jashtme e Kuvajtit tha se kishte thirrur një diplomat të lartë amerikan në shenjë proteste ndaj postimeve nga ambasada amerikane që mbështesin të drejtat LGBT.
Zyrtarët amerikanë atje kishin postuar një flamur ylber dhe një mesazh solidariteti nga Presidenti Joe Biden për muajin e Krenarisë.
Zyrtarët e Kuvajtit kritikuan ambasadën për “mbështetje të homoseksualizmit” dhe kërkuan që kjo të mos ndodhte më.
Të drejtat për personat LGBT janë rreptësisht të kufizuara në Kuvajt dhe është e paligjshme atje që burrat të jenë homoseksualë.
Gjithashtu këtë muaj, autoritetet në Arabinë Saudite sekuestruan lodra me ngjyrë ylberi dhe veshje për fëmijë , të cilat ata pretendojnë se inkurajojnë homoseksualitetin./21Media

Back to top button