Bahtiri i dorëzoi Veselit peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Peticioni i dorëzuar me 16,594 nënshkrime të qytetarëve

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri sot i ka dorëzuar kryeparlamentarit, Kadri Veselit peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës me 16,594 nënshkrime të qytetarëve.

Bahtiri ka thënë se këtë peticion po e dorëzon në emër të qytetarëve, dhe ka shtuar se qëllimi i tij është që ta bëjë Mitrovicën një qytet të barabartë për të gjithë, pavarësisht dallimeve etnike.

“15 mijë banorë të shpërngulur nga pjesa e veriut ende jetojnë në mëshirën e padrejtësisë e cila iu është bërë dhe jetojnë në pjesën e jugut si refugjat në qytetin e vet, me pamundësi të ndërtojnë shtëpitë e tyre, të kthehen aty ku kanë lindur, ku kanë jetuar e punuar më parë, edhe pas gjithë përpjekjeve që i kemi bërë, nuk e kemi bërë një gjë të tillë, nuk kanë dëshiruar një gjë të tillë ish kryetari por edhe strukturat e tjera të cilët nuk e kanë pasur kokën në Prishtinë por në Beograd”, ka thënë Bahtiri.

I pari i Mitrovicës ka thënë se për këtë proces nuk ka gjetur përkrahje nga udhëheqësit serbë, por ka përsëritur se bashkimi do t’i kontribuojë të dy palëve. Ai ka pohuar se peticionin e kanë nënshkruar edhe qytetarë serbë, e në emër të të gjithë banorëve, ka lutur Veselin që të ta shqyrtojnë këtë kërkesë në Kuvend.

“Në emër të atyre njerëzve që nuk po mund të kthehen në shtëpitë e tyre, por edhe në emër të serbëve të cilët janë të bllokuar ata që mendojnë të ecin përpara prej strukturave paralele të Serbisë, të cilët ia kanë zënë frymën dhe nuk janë të kënaqur me këtë, këtu ka peticione edhe nga vetë serbët, kërkoj dhe ju lutem vëllazërisht, ju lutem me gjithë shpirt dhe zemër që këtë ta drejtoni në institucionin që ju e drejtoni dhe një vendim i tillë presim të na vijë së shpejti”, ka thënë Bahtiri.

Kurse, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se ky peticion do të trajtohet shumë seriozisht në Kuvendin e Kosovës dhe është zotuar se gjatë këtij procesi nuk do të dëmtohet asnjë qytetar.

“Mitrovica është qytet i mitrovicasve, do të jetë një komunë dinjitoze në të cilën qytetarët serbë do të jetojnë bashkërisht në perspektivë, zhvillim ekonomik. Çka i duhet më së shumti është që grupet të cilat nuk kanë interes për Mitrovicën dhe mitrovicasit, po flas për Mitrovicë, të mos manipulojnë politikisht me atë pjesë të Republikës së Kosovës për vetë faktin se i duhet më shumë paqe dhe prosperitet”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se nuk do të ketë provokim për qytetarët serbë dhe vendimi që do të merret do të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve.

Pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri kishte dalë me idenë për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave më qëllim ‘bashkimin’ e Mitrovicës. Pasi mori mbështetjen e Kuvendit Komunal, Bahtiri iu kishte drejtuar Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), mirëpo kjo e fundit nuk i ka dhënë ‘dritën’ jeshile kësaj iniciative nën arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.

Mitrovica e Veriut ishte themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bazë të propozimit për statusin të emisarit të OKB-së, Martti Ahtisaari por dy komunat, ajo e Jugut dhe e Veriut ende nuk kanë gjetur zgjidhje për ndarjen e kufijve mes tyre për shkak të mospajtimeve rreth disa fshatrave të banuara me shqiptarë në pjesën veriore.

Back to top button