Familja Hamzai dorën e shtetit nuk e ka ndier në asnjë moment

Familja Hamzai dorën e shtetit nuk e ka ndier në asnjë moment

Jeta e familjes Hamzai nga fshati Kuç i Vorës është bërë dhe më e vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit. Familja nuk ka se ku të shkojë pasi nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, ndërsa vajza e shtëpisë tregon për pengun e saj, ëndrrën që nuk e ndoqi dot.

Migena, vetëm 22 vjeçare fatin nuk e ka si moshataret e saj. Ëndrra më e madhe e saj është që ajo të behët mësuese, ëndërr që ju pre në mes për shkak të kushteve ekonomike. “Doja të bëhesha mësuese, por nuk kishim mundësi ekonomike.”

Ajo tregoi se në 9-vjeçare ishte nxënëse mesatare pasi i duhej dhe të studionte dhe të ndihmonte familjen në punët e bujqësisë. Migena rrëfeu se dhe pse u shkëput nga shkolla vijon të ëndërrojë që një ditë të bëhet mësuese.

Jeta për Migenën dhe familjen e saj ka qenë tejet e vështirë. “Jetesa shumë e vështirë, babai është ndarë nga jeta para dy vitesh. Me çfarë na japin të tjerët, ushqemi ne. Më vështirë se kaq nuk ka më.”

Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar edhe banesën e zonjës Nurie Hamzai, por fatkeqësitë për këtë nuk përfundojnë këtu. Që prej asaj dite, 52-vjeçarja së bashku me dy fëmijët e saj nuk kanë se ku të jetojnë. Të vetëm, pa mbështetjen  e askujt ata u nisën nga fshati Kuç drejt Vorës.

Dorën e shtetit nuk e kanë ndierë në asnjë moment, ndërsa për 4 ditë ata kanë fjetur në stolet e lulishtes në Vorë, derisa një banor i zonës ka vendosur t’i strehojë në një dhomë të shtëpisë së tij. “I futa brenda, kishin 4-5 net që flisnin përjashtë. Por edhe unë nuk kam mundësi t’i mbaj gjithmonë.”

Apeli i tyre i vetëm është një strehë ku të fusin kokën pasi pas tërmetit kanë mbetur në qiell të hapur.

“Jam në mëshirë të Zotit. 1 dhomë, 2 me i pas, sa të fus fëmijët brenda.”/oranews