‘Fëmijët e SOS Fshatit kanë nevojë për mbështetje më të madhe institucionale’

‘Fëmijët e SOS Fshatit kanë nevojë për mbështetje më të madhe institucionale’

Në prag të vitit të ri, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj vizitoi SOS Fshatrat e Fëmijëve në Prishtinë. Me këtë rast, ai tha se në shenjë dashurie njerëzore dhe prindërore ka vendosur që të vizitojë së pari fëmijët në SOS fshatra për natën e Vitit të Ri.

“Në shenjë dashurie edhe njerëzore edhe prindërore erdhëm këtu për të uruar Vitin e Ri për fëmijët në qendrën SOS. Drejtoresha e koleget tjerë që kujdesen vërtet bëjnë një punë të mrekullueshme. Këta fëmijë janë të mrekullueshëm dhe me Anitën e bëmë një gjest, kujdes të vogël, një urim“, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e SOS fshatrave të fëmijëve Nezahat Salihu, tha se këta fëmijë kanë nevojë për më shumë përkrahje.

“Kjo nuk është hera e parë që i kemi këtu së bashku me Anitën, të cilët shumë shpesh janë bashkangjitur fushatave tona që ne i kemi pasur. Ne i falënderojmë që janë bërë miq të familjes tonë të madhe, sepse çdo familje e madhe ka edhe miq shumë. Ne shpresojmë që miqtë tanë do të zgjerohen më shumë dhe shpresojmë që institucionet tona më të vërtetë në të ardhmen do të mendojnë pak më shumë për këta fëmijë, për arsye se kanë nevojë për përkrahjen e të gjithëve “, tha ajo.

Kryeministri në detyrë me rastin e Vitit të Ri do të bëjë vizitë edhe pikën kufitare në Merdarë, Policinë e Kosovës, Emergjencë dhe në FSK.