10 automjete për Policinë e Kosovës

10 automjete për Policinë e Kosovës

Me rastin e 20- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, policia Federale e Gjermanisë i ka dhuruar donacion 10 automjete Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se ka rastisur që sot në 20 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës të marrin 10 automjete donacione nga Policia e Gjermanisë.

Sipas tij, ky donacion tregon bashkëpunimin e Policisë së Kosovë me atë të Gjermanisë me qëllim të luftimit të krimit.

“Kjo tregon për mbështetjen që Policia e Kosovës e ka nga partnerët tanë strategjik dhe nuk është hera e parë që Policia Gjermane përkrah Policinë e Kosovës kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe besoj që do shkoj duke u rritur në vazhdimësi meqenëse edhe qëllimi i Policisë së Kosovës dhe Policisë Gjermane është që bashkarisht të që të luftojmë krimit dhe të ketë sa më pak krim në Kosovë në Gjermani dhe në Evropë”, tha ai.

Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Policinë Federale Gjermane, Thomas Przybyla, tha se me dorëzimin e këtyre veturave po hedhin një hap tutje drejt forcimit të bashkëpunimit në mes Policisë së Kosovës dhe asaj Gjermane.

“Sot është një ditë e mirë për Policinë e Kosovës si dhe për Policinë Federale të Gjermanisë, me dorëzimin e këtyre veturave të policisë ne hedhim një hap tutje drejt forcimit të bashkëpunimit i cili ka filluar duke bërë trajnime të përbashkëta, dhe ne presim që të hedhim hapa tjerë sa i përket dorëzimit të pajisjeve tjera, kështu që shfrytëzoj rastin për ta uruar Policinë e Kosovës në 20 vjetorin e saj dhe për t’i falënderuar për ftesën”, tha ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Christian Heldt tha se në këtë vit jubilar për Policinë e Kosovës qeveria gjermane ka ofruar një dhuratë të mrekullueshme për Policinë e Kosovës që janë 10 automjetet për Policinë kufitare.

Ai ka theksuar edhe njëherë mbështetjen e qeverisë gjermane për Policinë e Kosovës me qëllim të sundimit të ligjit.

“Si Qeveri Gjermane të kemi një dhuratë të mrekullueshme për 20 -vjetorin e Policisë së Kosovës për të mbështetur punën e Policisë kufitare siç janë këto 10 vetura që po i shihni prapa nesh,. Gjermania dhe Kosova kanë bashkëpunim tash e 10 vite, një bashkëpunim shume i fortë në të gjitha fushat e punës së Policisë, dhe unë dua ta shfrytëzoj rastin për të falënderuar Policinë federale, agjentët e sigurisë, për kontributin e dhënë këtu në bashkëpunimin tonë me Kosovën. Puna e policisë është jetike, e rëndësishme, ata e bëjnë dallimin mes një shoqërie të civilizuar dhe kaosit, kështu që, çfarëdo që ne mund të bëjmë për të mbështetur policinë dhe sundimin e ligjit në këtë vend, ne e bëjmë me kënaqësi dhe sot është një mundësi e mirë për ta ritheksuar këtë edhe njëherë”, tha ai.