"Të gjitha pistat do hetohen nga ana jonë. Kjo është një ngjarje e rëndë angazhimi i policisë është shumë i madh"

“Të gjitha pistat do hetohen nga ana jonë. Kjo është një ngjarje e rëndë angazhimi i policisë është shumë i madh”

Pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në Tiranë, ku mbeti i vrarë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, në vendin e ngjarjes ka dal drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, i cili e ka cilësuar ngjarjen vrasje të rëndë dhe ka bërë të ditur se po hetohen të gjitha pistat e mundshme.

Po ashtu, kreu i policisë së Tiranës, tha se janë shoqëruar dëshmitarët që kanë parë ngjarjen dhe po merren në pyetje.

“Unë ju informoj se rreth orës 20:00 ka ardhur një telefonatë për të shtëna armësh në ‘Rrugën e Kosovarëve’. Kanë vajtur menjëherë në vendngjarje forcat e policisë, ku kanë konstatuar se ishte goditur me armë zjarri një ish-zyrtar i policisë. Të shtënat me armë ishin fatale për jetën. Janë organizuar postblloqe të menjëhershme janë dhënë të dhëna për autorët e mundshme, dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Jemi në fazat e para të hetimit, angazhimi jonë është maksimal”, tha Hodaj.

Ai sqaroi gjithashtu se nuk kanë pasur asnjë informacion, por dhe asnjë kërkesë për rrezik të jetës së tij nga viktima. “Jemi shumë herët për të krijuar pista të mundshme por po punohet në këtë drejtim. Të gjitha pistat do hetohen nga ana jonë. Kjo është një ngjarje e rëndë angazhimi i policisë është shumë i madh. Dëshmitarët janë atashuar pranë komisariateve të policisë për të zbardhur ngjarë”, deklaroi Hodaj.