Lajmet e rreme të javës që lamë pas

AP ka publikuar listën e lajmeve të rreme

Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press ka publikuar listën e lajmeve më të popullarizuara të rreme gjatë javës së kaluar, të cilat shpesh ishin shpërndarë edhe në rrjetet shoqërore.

Asnjëri nga lajmet e publikuara nuk kanë qenë të vërtetë dhe AP tregon edhe faktet e vërteta për secilin nga pesë lajmet e përzgjedhura.

Shumë faqe në internet transmetuan lajmin e një faqeje satirike të 28 prillit se muzikanti dhe aktivisti konservator, Ted Nugent ishte vrarë gjatë një gjuetie, pasi më 19 prill vizitoi Shtëpinë e Bardhë. Nugent gjithë storien e ka quajtur rrenë të ndyrë.

Disa faqe publikuan lajmin se presidenti amerikan Donald Trump është lutur së bashku me pjesëtarët e bashkësisë fetare të krishterë, pasi Gjykata Supreme ruse kah fundi i prillit ndaloi veprimtarinë e tyre në Rusi, duke i quajtur si organizatë ekstremiste.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar vendimin e gjykatës ruse, por Trump dhe zëvendës presidenti i SHBA-ve Majk Pens nuk kanë bërë lutje me pjesëtarët e kësaj bashkësie fetare, siç kanë transmetuar disa media.

Njëri ndër lajmet e rreme ishte edhe ai për heqjen e vizave nga presidenti Trump për hyrje në vend për qytetarët e disa shteteve, si Etiopia, Lituania dhe Filipinet. Asnjëra nga vendet e përmendura nuk është në mesin e 38 shteteve në listën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Këtë lajm e kanë demantuar ambasadat amerikane në disa nga vendet e përmendura. Në rrjetet shoqërore është shpërndarë lajmi se autori i sulmit me bombë në maratonën e Bostonit Xhohar Carnajev është lënduar rëndë në burg dhe nuk do të mund më të ecë ose të flasë. Zyrtarët e burgut njoftuan se nuk ka fakte që vërtetojnë pohimet se Carnajev është gjetur në qeli në Masaçusets, i përgjakur dhe me lëvore të bananes në afërsi.

Carnajev në fakt ndodhet në burgun e shtetit federal amerikan Kolorado, pasi ishte ankuar ndaj vendimit për sulm në vitin 2013. AP ka vendosur në krye të listës së lajmeve të pasakta edhe atë për xhirimin e serialit të ardhshëm “Luftëra e yjeve” në lokacion të caktuar, ku janë përmendur qytetet amerikane Viçita dhe Virxhinia Biç, qyteti kanadez Beri dhe të tjerë.

E vërteta është se xhirimi i filmit të vetëm të këtij seriali, i cili aktualisht është në produksion, ka nisur në janar, në afërsi të Londrës.

Back to top button