Jahjaga në Zym: Kontribut i madh i atdhetarit Atë Shtjefën Gjeçovi

Çmimi tradicional “Unaza e Katatit” -presidentes Jahjaga kurse Çmimi “Pena e Pjetër Bogdanit” shkrimtarit Jusuf Buxhovit, “Pena e Shtjefën Gjeçovit” – Ukë Xhemajt, ndërsa “Pena e Anton Pashkut” poetit nga Kukësi Petrit Palushit
Zym i Hasit, 15 tetor 2011 (17.00)
Në Zym të Hasit u mbajt manifestimi tradicional kulturor e shkencor i 40-ti me radhë “Takimet e Gjeçovit”. Edicioni i sivjetmë shënon edhe vitin jubilar të këtij manifestimi. Drejtues të institucioneve të Republikës së Kosovës këtë manifestim e quajtën të rëndësishëm pasi që ruhen e kultivohen vlerat kulturore dhe letrare. Njëkohësisht u vlerësua lart kontributi kombëtar i Atë Shtjefën Gjeçovit nga folësit Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës, Ramadan Muja, Kryetar i Komunës së Prizrenit, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës e të tjerë.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga duke folur në këtë manifestim, ndër të tjera, tha:
“Takimet e Gjeçovit” janë të rëndësishme jo vetëm për shkak të simbolikës që e kanë por veçanërisht për prurjet në ruajtjen e trashëgimisë dhe kultivimin e vlerave letrare, kulturore dhe shkencore.
Të jesh në Zym, të marrësh pjesë në manifestimin e Kuvendit apo të Kuvendimeve të Gjeçovit, që Ju e kemi emërtuar simbolikisht “Takimet e Gjeçovit” e të mos flasësh për këtë figurë poliedrike të kombit, që në binomin “Fe e Atdhe” i la trashëgim të pasur letërsisë, arkeologjisë dhe shkencës, është e pamundur.
Në cilësinë e Presidentes së vendit mua më bie të flas për aktivitetin politik dhe atdhetar të Shtjefën Gjeçovit, dhe duke bërë një hulumtim të jetës e të veprës së këtij dijetari, unë e pashë se te ai është çdo gjë e lidhur me atdheun, me lirinë, me përparimin e emancipimin e popullit të vet. Shtjefën Gjeçovi ishte prift, françeskan, duke njohur veprat e tija, dhe nëpërmjet tyre edhe shpirtin e tij, unë besoj se ai u përcaktua për prift që të rrisë dijeninë, që të shkollohet dhe të bëhet më i dobishëm për njerëzit. Ndërsa u bë françeskan që të jetë më afër popullit dhe të jetojë në kushtet në të cilat jetonin njerëzit e racës së tij, siç thoshte. Kisha Katolike ishte gjithherë me popullin, në të shumtën e rasteve në ballë të përpjekjeve për liri, dhe për emancipim, dhe roli i priftit ishte i madh në çrrënjosjen e zakoneve të prapambetura që hynin këtu, me ndikimet e huaja, ndonjëherë edhe me plan e me qëllim të caktuar, si ishin besëtytnitë dhe magjitë, që përhapeshin lehtë, si shpresë e rrejshme për popullin e vuajtur dhe për zgjidhjen e telasheve me të cilat ballafaqoheshin.
Gjeçovi bëri studime për trashëgiminë pellazge dhe për trashëgiminë ilire te populli shqiptar, që mbesin nga studimet më serioze të bëra në këtë fushë. Ai u mor me mbledhjen e trashëgimisë gojore të popullit tonë. Këtë e bëri për të mos e lënë që të humbet ky thesar i çmueshëm për të treguar motivet dhe nivelin e lartë artistik dhe filozofik të gjeniut popullor. Gjeçovi u mor me krijimtari letrare. Shkroi drama që nuk ishte zhanër i lëvruar në krijimtarinë tonë. Këtë e bëri në formën e traditës tonë të rrëfimit, për të ndikuar më shumë edhe nëpërmjet inskenimit apo të marrjes dhe të përfoljes në popull të pjesëve dramatike të veprave të tij.
Shtjefën Gjeçovi i vuri kurorë veprës së tij me mbledhjen e Kanunit të Lekës, punë kjo që i mori tridhjetë vjet, dhe që në grumbullimin me përkushtim, dhe në kodifikim i ngjan sistemimit e kodifikimit të librave të shenjtë. Me këtë vepër ai shpërtheu pas vdekjes në rrjedhat botërore. Kanuni i Lekë Dukagjinit e ka parimin që “lajmësi nuk ndiqet”. Pra lajmëtari duhet të respektohet e nderohet pa marrë parasysh çfarë lajmi e prej kujt e sjell, që sot përshtatet mirë me lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes, tash është pjesë e traditës, dhe ne sot qeverisemi sipas ligjeve të civilizimit bashkëkohor evropian duke i pasur në vete të arriturat e popujve të përparuar. Dhe në këtë udhë Republika e Kosovës e ka vendin në Bashkimin Evropian ndërmjet popujve e shteteve të lira të barabarta e të dinjitetshme”, tha ndër të tjera Presidentja Jahjaga në Zym të Hasit.

* * *
Në vijim të këtyre takimeve, Presidentja Jahjaga vendosi lule para shtatores së Shtjefën Gjeçovit, ndërsa Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ia dorëzoi çmimin tradicional “Unaza e Katarina Josipit”.
Pasi mori këtë çmim, Presidentja Jahjaga tha se ndjehet shumë e nderuar që u nderua me një shpërblim që mban emrin e aktores së madhe Katarina Josipi.
Si çdo vit në këtë takim u dhanë çmime letrare. Çmimi “Pena e Pjetër Bogdanit” i takoi shkrimtarit Jusuf Buxhovit, “Pena e Shtjefën Gjeçovit”, i takoi Ukë Xhemajt, ndërsa “Pena e Anton Pashkut” i takoi poetit nga Kukësi Petrit Palushit:
Me këtë rast u përurua edhe qendra përkujtimore “Atë Shtjefën Gjeçovi”, në të cilën qendër u mbajt edhe ora letrare ku u prezantuan krijues nga treva të ndryshme shqiptare.

Besart GALICA

Komentoni artikullin