Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2018 ka rekrutuar katër zyrtarë në departamentin e mbikëqyrjes së tregut

Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2018 ka rekrutuar katër zyrtarë në departamentin e mbikëqyrjes së tregut

Grupi për Studime Juridike dhe Politike rekomandon institucionet në Kosovë të tregojnë një përkushtim më të lartë drejt përmbushjes së të gjitha masave të parapara në Agjendën për Reforma Evropiane dhe Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara.

GSJP publikoi të hënën raportin e dalë nga monitorimi në periudhën korrik-dhjetor 2018 lidhur me shkallën e përmbushjes së prioriteteve në fushën e konkurrencës.

Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, rezultatet e nxjerra nga monitorimi nuk janë të kënaqshme.

Në konferencën “Sa po implementohen objektivat e MSA-së në fushën e konkurrencës”, Erëza Pula tha se procesi i monitorimit është fokusuar në shtyllën e dytë të ERA-s, që është konkurrueshmëria dhe klima e investimeve.

E kjo përfshinë 12 masa që janë të ndara në 44 veprime. Raporti tregon se sipas reformave institucionale dhe masave për ngritje të kapaciteteve, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2018 ka rekrutuar katër zyrtarë në departamentin e mbikëqyrjes së tregut.

Ndërsa, Valon Prestreshi, kryetar në Autoritetin e Konkurrencës tha se kanë arritur t’i trajtojnë disa lëndë që janë mbledhur. Ai tha se 12 kompani që kanë qenë nën hetim janë gjobitur. Tutje, ai bëri të ditur se kanë marrë ftesë nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një memorandum mirëkuptimi.

Grupi për studime Juridike dhe Politike rekomandoi institucionet që të tregojnë përkushtim më të lartë drejt përmbushjes së të gjitha masave të parapara në ERA dhe PKZMSA, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara, në mënyrë që të përshpejtohen politikat dhe reformat e konkurrencës në Kosovë.

Kjo fazë e monitorimit për periudhën korrik-dhjetor 2018 do të plotësojë pjesën e parë të monitorimit për periudhën janar-qershor 2018. Sipas GSJP, pastaj rezultatet do të nxjerrin në pah arritjet dhe dështimet e institucioneve relevante gjatë gjithë vitit 2018.