Kaloni te përmbajtja kryesore

​Haradinaj: Çfarë do të fitonte Kosova nga realizimi i projektit TC Kosova e Re?

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rikthyer në vëmendje projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, duke e cilësuar atë si një nga projektet më të rëndësishme strategjike të planifikuara ndonjëherë në vend.

Përmes një postimi të gjatë, Haradinaj ka renditur përfitimet që, sipas tij, Kosova do t’i kishte nga realizimi i këtij projekti energjetik, duke theksuar ndikimin në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe shfrytëzimin e resurseve vendore.

Sipas Haradinajt, termocentrali me kapacitet të instaluar prej 500 MW dhe kapacitet neto prej rreth 450 MW do të prodhonte rreth 3.35 TWh energji elektrike në vit.

“Me këtë nivel prodhimi, TC Kosova e Re do të përfaqësonte një nga burimet kryesore të energjisë bazë në Kosovë dhe do të reduktonte ndjeshëm nevojën për importe të energjisë elektrike”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka theksuar se projekti do të mund të mbulonte rreth 40 deri në 50 për qind të konsumit aktual vjetor të energjisë elektrike në vend, ndërsa do të përfaqësonte afërsisht 28 për qind të ngarkesës maksimale të sistemit elektroenergjetik.

Ai ka argumentuar se Kosova do të përfitonte edhe në aspektin ekonomik, duke reduktuar varësinë nga importi i energjisë elektrike.

“Nëse e njëjta sasi energjie prej 4.6 TWh do të ishte prodhuar nga një kapacitet bazë vendor, kostoja totale do të ishte rreth 202 milionë euro më e ulët se kostoja reale e importeve”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, projekti do të siguronte edhe treg afatgjatë për linjitin vendor dhe për aktivitetin e minierave të KEK-ut.

“TC Kosova e Re do të siguronte një treg të qëndrueshëm për linjitin vendor për të paktën 30 vjet, duke mbështetur vazhdimësinë e operimit të sektorit minerar dhe aktivitetin ekonomik të lidhur me nxjerrjen dhe transportin e linjitit”, ka deklaruar ai.

Ish-kreu i AAK-së, ka nënvizuar se projekti parashihej të sillte investim prej rreth 1.3 miliard eurosh, duke e cilësuar atë si investimin më të madh privat dhe një nga investimet më të mëdha të huaja direkte në historinë e Kosovës.

Ai ka përmendur edhe ndikimin në tregun e punës, duke theksuar se gjatë fazës së ndërtimit pritej të krijoheshin deri në 10 mijë vende pune direkte, indirekte dhe të induktuara.

Në aspektin mjedisor, Haradinaj ka pohuar se termocentrali do të përdorte teknologji moderne superkritike, duke mundësuar ulje të konsiderueshme të emetimeve ndotëse krahasuar me termocentralet ekzistuese.

“TC Kosova e Re do të zëvendësonte gradualisht kapacitetet e vjetruara të TC Kosova A dhe do të reduktonte ndjeshëm emetimet e SO₂, NOx, pluhurit dhe CO₂”, ka shkruar ai.

Në përfundim, Haradinaj ka vlerësuar se projekti do të kishte garantuar siguri energjetike afatgjatë për vendin.

“Në aspektin e sigurisë energjetike, zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit të resurseve vendore, TC Kosova e Re përfaqësonte një nga projektet më të rëndësishme strategjike të planifikuara ndonjëherë në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button