Nuk mohon shkrirjen në partinë e Albin Kurtit

Nuk mohon shkrirjen në partinë e Albin Kurtit

Kryetarja e Alternatives, Mimoza Kusari-Lila i quajti spekulime dhe jo korrekte të gjitha zërat se ajo pritët të dalë jashtë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja e zgjedhur nën logon e Vetëvendosjes, Kusari-Lila i garantoi besnikëri partisë së Albin Kurtit në legjislaturën e shtatë, teksa nuk mohoni shkrirjen e tërësishme të partisë Alternativa në partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Unë jam deputete në grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Çfarëdo spekulimi me emrin timin në këtë moment ose me mandatin e fituar nuk është korrekt, për faktin se ka pasur diskutime me subjekte politike për garë. Ne kemi arritur një marrëveshje parimore me LVV që të garojnë në listë me ta dhe të jemi në grupin parlamentar. Kjo nuk duhet të diskutohet…tani kemi pas takimin e parë të grupit parlamentar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. E shoh një energji pozitive. Një grup me profesionistë të fushës që kanë shtuar shumë vlerë edhe gjatë fushatës, por edhe tash. Mendoj se kemi aq shumë punë përpara sa vështirë do t’i bie dikujt në mendje të mendoj se ku duhet të pozicionohet personalisht. Natyrisht se këto zgjedhje kanë qenë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit”, tha ajo.

Për mundësitë e shkrirjes së Alternativës në Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila duke mos e mohuar, tha se nuk është momenti për këtë diskutim, teksa përmend raportet e shkëlqyera që ka me partinë e Albin Kurtit.

“Nuk e kemi pas këtë lloj diskutimi dhe nuk e besoj se është momenti për këtë diskutim. Ajo që është shumë e rëndësishme është që të kemi të qarta raportet. Të kemi një korrektësi që deri më tani nuk ka munguar. Si i tillë do të vazhdojë bashkëpunimi me VV-në” deklaroi Kusari-Lila për kp

Kryetarja e Alternatives u shpreh e gatshme që të jenë pjesë e qeverisë Kurti.

“Natyrisht nëse është diçka e cila lidhet me përvojën dhe profesion tim që edhe jam përgatitur. Por jo domosdoshmërisht veç sa për të qenë në qeverisje”, tha ajo.

Ndërsa u shpreh optimiste se marrëveshja qeverisëse mes VV-së dhe LDK-së do të nënshkruhet shumë shpejt.