LDK e bindur se do arrihet marrëveshja

LDK e bindur se do arrihet marrëveshja

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Nëpërmjet një komunikate, LDK theksoi tutje se vazhdimisht kanë shprehur gatishmërinë dhe zotimin në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional”, thuhet në kominikatë.

Synimi i përbashkët i LDK-së dhe VV është të arrihet një marrëveshje që ka prioritet zotimet e dy partive ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot e konfirmoi për RTV21 se takimi mes tij dhe Albin Kurtit, që ishte paralajmëruar për nesër, nuk do të mbahet./21Media