Ekspertët: Na pret një fushatë e ashpër zgjedhore

Ekspertët: Na pret një fushatë e ashpër zgjedhore

Partitë politike shqiptare janë në gjumë gjatë gjithë kohës dhe pikërisht në momentin kur vijnë zgjedhjet dalin me akuza dhe kundër-akuza për kundërshtarët e tyre. Kështu u shpreh analisti Ibrahim Mehmeti në emisionin debatues Click Plus në Maqedoni. Ai vlerësoi se ky është mosrespekt ndaj opinionit publik dhe raste të tilla mund të mos jenë të besueshme dhe bindëse për opinionin, raporton TV21.

“Ne debatin publik te partitë maqedonase gjatë gjithë kohës kemi diçka , akuza dhe kundër-akuza, te shqiptarët kemi pasur heshtje, një vit e dy vite nuk kemi pas asnjë rast. Kur e ke një argument duhet të bëhet publik, jo të pritet kur ty të konvenon dhe ky është problem sepse ja ul vlerën para opinionit dhe para qytetarëve”, deklaroi Ibrahim Mehmeti.

Analisti Albert Musliu tha se retorika e tillë e partive politike shqiptare do të jetë edhe më e ashpër sepse  kësaj radhe në këto zgjedhje numrat e votuesve janë të përafërt tek të gjitha partitë.

“Unë do të kisha thënë lirisht dhe kjo do të vërtetohet në ditët në vijim se kjo është një uvertyrë e një kampanje shumë të ashpër dhe shumë të ulët e cila na paraprin deri më 12 prill. Mendoj se kësaj radhe do të jetë fushatë më e ashpër, sepse numrat janë shumë të përafërt tek të gjitha kampuset ajo nënkupton luftë edhe më të ashpër”, tha Albert Musliu.

Valon Bela si opinionist tha se qytetari i thjeshtë i vendit i cili ballafaqohet me mbijetesë nuk është e hijshme të bombardohet me informata të tilla dhe retorikë të tillë.

“Tani është koha kur konkurenca duhet të zhvillohet me programe dhe projekte me të cilat do të ngritin shërbime sa më cilësore për qytetarët dhe jo me akuza dhe kundër akuza sidomos tani në këtë kohë kur elektorati shqiptar po tkurret sepse kemi një migrim masiv të të rinjve shqiptarë për mbijetesë ekonomike dhe tani kur vota shqiptare defaktorizohet dhe në vend se të kemi një unifikim dhe ndryshim të diskursit publik të fjalorit më të butë, sepse tek e fundit këta janë konkurentë dh në bazë të demokracisë partitë janë vlerë kombëtare”, deklaroi Bela.

Akuzat, kundërakuzat, nënçmimet nga ana e partive politike shqiptare filluan që kur kreu i BDI-së Ali Ahmeti partive tjera shqiptare iu tha “të vegjël” dhe vetëquajti BDI-në “nënë e madhe”, për të vijuar më pas me akuzat e kreut të PDSH-së Menduh Thaçi në emisionin Click Plus për pothuajse të gjitha partitë shqiptare./21Media