Mbi 33.000 nxënës do të regjistrohen në shkollat e mesme

MASHT ka vendosur një kriter për regjistrim në shkollat e mesme  të larta

Sot përfundon afati i parë i konkursit për regjistrim në shkollat e mesme të Kosovës, ku sipas të dhënave zyrtare të MASHT-it, pritet të regjistrohen 33,246 nxënës në gjithsej 1104 paralele.

Këtë e ka bërë të ditur për Kp, drejtoresha e Departamentit për Politika në Arsimin Parauniversitar në MASHT, Valbona Fetiu-Mjeku. Sipas saj, në gjimnaze për vitin shkollor 2017/18 është planifikuar të regjistrohen gjithsej 13.088 nxënës, ndërkaq në shkollat profesionale 20.158 nxënës.

“Sipas planifikimit të MASHT-it, në arsimin e mesëm të lartë në gjimnaze dhe në shkolla profesionale për vitin shkollor 2017/2018 sipas DKA-ve ,natyrisht, gjithmonë duke e pasur parasysh planifikim e tyre, do të regjistrohen 13088 nxënës në gjimnaze, ndërsa në shkollat profesionale 20.158 nxënës në 695 paralele”, ka thënë Fetiu-Mjeku.

Për këtë vit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka vendosur si kritere për regjistrim në shkollat e mesme të larta numrin e pikët e arritura në testin e arritshmërisë dhe suksesin nga shkolla fillore.

“Si kritere për nxënësit për klasën e dhjetë, nxënësit duhet t’i plotësojnë këto kritere, suksesi nga shkollimi i obliguar, i cili është 25% apo 25 pikë, suksesi nga lëndët prioritare në test që është 15 % apo 15 pikë dhe numri i pikëve nga testi, 60% apo 60 pikë”, tha Fetiu-Mjeku.

Konkursi për regjistrim ka qenë i hapur që nga data 19 qershor e deri më sot, ndërsa komunikimi i rezultateve do të bëhet më datën 28 qershor.

Afati i dytë për regjistrim plotësues për nxënësit e shkollave të mesme do të jetë nga data 21 deri 23 gusht, ndërsa shpallja e rezultateve do të bëhet më 28 gusht.

Back to top button