Mustafa: Po Haradinajt, jo PDK-së

Musafa ka theksuar se LDK-ja me partnerët e saj, janë shprehur qartë se nuk bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryeministër në detyrë, Isa Mustafa, ka thënë se procesi i zgjedhjeve të 11 qershorit ka qenë i rregullt, ku të gjitha subjektet politike në përgjithësi kanë respektuar normat dhe kriteret demokratike.Mustafa ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve nuk janë ato që ka pritur LDK-ja. Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se vota në këto zgjedhje ishte më shumë kundërshtuese sesa vlerësim i asaj çfarë është punuar gjatë qeverisjes së tij.

Ai ka theksuar se LDK-ja me partnerët e saj, AKR-në dhe Alternativën, janë shprehur qartë se nuk bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, pra as me koalicionin ku është dhe të cilin e drejton PDK-ja. Për këtë qëndrim, thotë se i ka njoftuar edhe miqtë ndërkombëtarë.

I pyetur nëse deputetë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa mund ta votojnë individualisht Qeverinë Haradinaj, Mustafa ka thënë se “peshkimi”, kontrabandimi, blerja e deputetëve nuk janë zgjidhje dhe as alternativë për një qeveri.

“Një qeveri që ndërtohet me forma të tilla nuk meriton as të trajtohet si e tillë, sepse bie që është qeveri e mashtruesve. Nuk besoj se në mashtruesve. Nuk besoj se në apo të AKR-së ka mashtrues, ka thënë Mustafa. Ai ka thënë se është i gatshëm të takohet me Ramush Haradinajn për të biseduar për formimin e qeverisë, por për këtë ka një kusht. “Në çdo moment që z. Haradinaj nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes me PDK-në, ne mund të bisedojmë për mundësitë e bashkëqeverisjes. Por, jo derisa z. Haradinaj flet në emër të një koalicioni që drejtohet nga PDK-ja”, është shprehur kreu i LDK-së.

Ai është shprehur i hapur për një bashkëpunim për krijimin e institucioneve me Lëvizjen Vetëvendosje, AAK-në dhe Nismën. “Në rast se nuk gjejmë mirëkuptim me VV-në, AAK-në dhe Nismën, për qeverisje me përgjegjësi programore të LDK-së, do ta shfrytëzojmë hapësirën parlamentare për t’i shërbyer vendit”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se harmonizimi i një programi i cili përputhet me idenë e një shoqërie demokratike, të ekonomisë së tregut, të orientuar kah Bashkimi Evropian, në miqësi të fortë me ShBA-në dhe që ndërton shtetin e së drejtës është domosdoshmëri.

Back to top button