Në mbledhjen e Qeverisë do të prezantohet draft-libri për marrëveshjen me Serbinë

Sipas Haradinajt ky projekt është bazament pune për ekipin negociator në fazën e ardhshme të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të prezanton draft-librin e madh me kapituj, një bazë e fortë institucionale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse legalisht obligative me Serbinë.

“Javët e fundit, kam angazhuar një ekip të madh kolegësh të cilët kanë punuar intensivisht që ky dokument të jetë një draft final që përfshinë të gjitha temat e rëndësishme për të cilat ne duhet të dialogojmë me Serbinë. Ky dokument, është dokument i gjallë e i cili në ditët në vijim do të prezantohet tek të gjitha pjesët e shoqërisë sonë në mënyrë që të plotësohet dhe të përfshijë të gjitha temat, që sigurojnë avancim të ofertës sonë”, u shpreh Haradinaj.

I pari i ekzekutivit njoftoi se këtë material tashmë ua ka dërguar të gjithë liderëve të partive politike në Kosovë, vendeve të Quintit dhe Zyrës së BE-së.

Haradinaj shpjegon se ky projekt voluminoz është bazament pune për ekipin negociator në fazën e ardhshme të dialogut dhe është mbështetje e fuqishme për këtë ekip.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që dialogu me Serbinë të vazhdojë dhe se tani është koha që ky dialog të finalizohet, duke respektuar kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e vendit. Dialogu është detyra e radhës për ta përfunduar konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ngjashëm si për temat e mëdha të vendit edhe këtu na duhet një unitet i plotë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përpiluar një draft të Marrëveshjes Gjithëpërshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të cilën e ka prezantuar më 13 dhjetor para ambasadorëve të vendeve të Quint-it./21Media

Back to top button