Profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj mbajti ligjëratë në shkollën “Pavarësia”

Profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj mbajti ligjëratë në shkollën “Pavarësia”

Që nga viti 2010, Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës është duke ngritur zërin për nevojën e futjes së lëndës së Edukimit Medial në shkolla në Kosovë. Ndonëse një gjë e tillë ende nuk është arritur, shoqëria ka filluar të vetëdijesohet për rëndësinë e Edukimit Medial.

Kështu shkolla fillore, “Pavarësia” në Prishtinë ka marrë iniciativë që edhe nxënësve t’u mbahet ligjëratë rreth Edukimit Medial. Sot në këtë shkollë ka ligjëruar, Profesoresha e Fakultetit të Filologjisë, Dega e Gazetarisë, Remzie Shahini- Hoxhaj. Ajo para nxënësve të klasës së pestë, ka shpjeguar rreziqet dhe të mirat që ofrojnë mediat, si t’i përdorin për të mirë dhe si të mbrohen nga keqpërdorimet që mund të vijnë nga to. Profesoresha, Shahini- Hoxhaj është shprehur e mahnitur me interesimin e nxënësve rreth kësaj teme, përcjell portali rtv21.tv

Iniciativa për këtë ligjëratë ka ardhur nga mësuesja e shkollës fillore, “Pavarësia”, Hyrije Dakaj, e cila nga përvoja e saj me nxënësit ka vërejtur se ata janë të rrezikuar nga përmbajtjet e padëshirueshme në internet, ku ndodh që fëmijët të bëhen viktima të keqpërdorimeve.

Sivjet ka nisur mbajtja e trajnimeve edhe të mësimdhënësve për Edukimin Medial. Këto trajnime po mbahen nga ligjëruesit e Departamentit të Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të cilët janë të licencuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Sindikatën për Arsim Shkencë e Kulturë. Deri me tani janë certifikuar rreth njëmijë mësimdhënës nga e gjithë Kosova, të cilët kanë marrë njohuri bazike për përdorimin e mediave, përmbajtjet mediale dhe zhvillimin e gjykimit kritik gjatë përdorimit të tyre. Këto trajnime i ka mbështetur dhe i ka cilësuar si të domosdoshme Sindikata Evropiane për Arsim.

Lënda mësimore “Edukimi Medial”, është pjesë e kurrikulave në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian në shkollimin parauniversitar. /21Media