Hamza premtoi përkrahje maksimale

Hamza premtoi përkrahje maksimale

TVSH-ja dhe ngarkesa e kundërt janë disa çështje që për “Hidroregjionin jugor” të Prizrenit mund t’i shkaktojnë probleme në implementimin e projekteve të KFV-së dhe Qeverisë së Kosovës, u tha ndër të tjera gjatë takimit që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) së bashku me “Hidroregjionin jugor”, zhvilluan me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Kryeshefi ekzekutiv, Besim Baraliu, kërkoi përkrahje që ministri së bashku me ATK-në dhe Hidroregjionin t’i kalojnë këto sfida për një zhvillim sa më të mirë të ujësjellësit dhe rritje edhe më të madhe të cilësisë së shërbimeve për qytetarët e vendit. Sipas një komunikate të OAK, ministri Hamza premtoi se do t’i jap përkrahjen maksimale kësaj kompanie në tejkalimin e këtij problemi, duke punuar dhe vepruar gjithmonë konform ligjit.

Kryetari i bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, në këtë takim ngriti edhe disa çështje tjera me të cilat po ballafaqohet sektori privat, siç është problemi me riparimin e pajisjeve të importuara nga vendet e jashtme, TVSH-ja e reduktuar tek kafshët, pajisja e bizneseve me dokumentin ATA CARNET një dokument ndërkombëtar dhe i përkohshëm i eksportit që përdoret në 87 vende dhe territore pa paguar detyrime dhe taksa të importit për mallrat që do të ri-eksportohen brenda 12 muajve.

Ministri Hamza theksoi se Ministria e Financave ka aplikuar për ATA CARNET dhe TIR CARNET dhe se janë në pritje të përgjigjes së aprovimit të këtij dokumenti. Në fund të këtij takimi palët u shprehën se janë të gatshëm që së bashku t’i tejkalojnë sfidat dhe barrierat me të cilat sektori privat po ballafaqohet.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga kryetari i bordit, Skënder Krasniqi, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe zyrtarja Vanesa Gashi.

Pjesëmarrës të kompanisë “Hidroregjionin jugor”, ishin kryeshefi ekzekutiv, Besim Baraliu, zyrtari financiar dhe i thesarit, Ibrahim Bajraktari dhe udhëheqësi i projektit, Lulzim Paçarizi.