Deputetët kritikojnë dhënien e 815 mijë eurove

Shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të kryeministrisë

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2018, ku janë evidentuar disa parregullsi, ndër to është evidentuar projekti “Ta pastrojmë Kosovën”, punësime me marrëveshje për shërbime të veçanta, buxheti për grante dhe subvencione.

Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, tha se ndër të gjeturat është themelimi i Task-Forcës “Ta pastrojmë Kosovën”, ku projekti ka qenë 815 mijë euro dhe janë eliminuar procedurat ligjore për OJQ. Po ashtu sipas tij, nuk ka kontratë me përfituesin “Ta pastrojmë Kosovën”.

Sekretari i Qeverisë, Fitim Krasniqi, tha se projekti “Ta pastrojmë Kosovën”, ka ndodhur në mënyrë të shpejtë për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe vendimi është marrë në mbledhje të Qeverisë. Ai shtoi se Zyra e Kryeministrit nuk është marrë me asnjë procedurë për bartjen e 815 mijë euro, sepse këtë e ka bërë Ministria e Ambientit dhe koordinator ka qenë ministri Fatmir Matoshi.

Deputeti Avdullah Hoti tha se ky projekt është bërë pa asnjë procedurë dhe kjo është shqetësuese. Edhe deputeti Mergim Lushtaku pati vërejtje për procedurat e këtij projekti. Ndryshe, drejtor i OJQ “Ta pastrojmë Kosovën (Let’s Do it Kosova)” është Luan Hasanaj.

Po ashtu, ky Komision shqyrtoi edhe raportin e Auditimit për PVF-të 2018 e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Ministri Rasim Demiri theksoi se sa i përket raportit të auditimit dhe vërejtjeve, janë çështje teknike ose edhe për shkak të mungesës së stafit në Ministri. Ndarja e granteve siç tha ai, është bërë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Po ashtu Demiri tha se buxheti është shpërndarë në të gjitha komunat, ashtu siç kanë qenë edhe kërkesat.

Ndërsa, deputetja Emilia Rexhepi fillimisht akuzoi ministrin Demirin dhe tha se për këto parregullsi mund të përfundojnë në burg. Ajo përmendi emrat e përfitueseve boshnjak, sipas të cilës ka pasur konflikt interesi ngase janë të afërt me ministrin Demiri.

Deputeti Avdullah Hoti fillimisht theksoi që kjo Ministri ka qenë e panevojshme dhe se duhet të ketë llogaridhënie për shpenzimin e miliona eurove buxhet. Edhe Hoti shprehu brengën e tij për ndarjen e granteve dhe mos protokollimin e faturave.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, kërkoi nga ministri Demiri që ta sjellë një raport të detajuar për shpenzimet e kësaj Ministrie.

Back to top button