Pacolli për Rugovën: Lider i përmasave globale

“Presidentit Historik, ne kemi për obligim që t’i qëndrojmë besnik”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në 13 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit, Ibrahim Rugova ka thënë se  Rugova, figura dhe kontributi i tij mbesin reflektim unik i kulturës dhe orientimit demokratik e perëndimor i qytetarëve të Kosovës, përderisa urtësia, maturia dhe mençuria e tij prej lideri të përmasave globale, admirohen në të katër anët e botës.

Sipas Pacollit, filozofia dhe platforma e presidentit historik Rugova, ishte refleksioni më i mirë i sakrificës dhe aspiratave i gjeneratave në këto hapësira. Ato po ashtu, sipas Pacollit ishin një manifesto e përmasave universale, e cila shtynte në lëvizje edhe vendimmarrësit dhe vendet më inidferente ndaj çështjes sonë, e të mos flasim për ato që ishin rreshtuar drejt në krahun tonë.

“Në respekt dhe lartësim të figurës së Presidentit Historik, ne kemi për obligim që t’i qëndrojmë besnik postulateve të tij, veçanërisht punës, durimit, tolerancës, mirëbesimit, shpresës, gjithmonë në rrugëtim me aleatë, miq, e partnerë. Vende të përparuara demokratike, kanë krijuar qendra të edukimit politik për të rinjtë, dhe unë vazhdoj të besoj se ne duhet ta themelojmë dhe institucionalizojmë një Qender të Edukimit Politik, e cila do të quhej “Akademia Politike, Ibrahim Rugova”, në fakt e propozojë ta themelojmë sa më shpejtë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ndërkohë, sot në përvjetorin e 13-të të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i tij. Kryesia e LDK-së po ashtu kanë bërë vizitë edhe te familja Rugova. Në këtë përvjetor është thënë se për idealet e tij për një Kosovë paqësore dhe të zhvilluar ekonomikisht, duhet edhe shumë punë për t’u bërë.

Back to top button