Pas tragjedisë në Gjilan, takohen Haziri, Veliu e Qalaj

Vizituan drejtorinë regjionale të policisë

Pas tragjedisë që ka ndodhur dje në Gjilan, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, priti sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Pas takimit, Haziri e falënderoi ministrin Veliu për vizitën, ndërkaq informoi se po bëhen gati për t’ia dhënë lamtumirën e fundit viktimave. “E falënderoj ministrin e Brendshëm, mikun tim Agim Veliu, i cili sot është në vizitë për të parë nga afër zhvillimet pas tragjedise që e përjetuam dje. Trupat e pajetë janë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ne po presim që një pjesë e familjes të vinë nga Kanada në Gjilan dhe po përgatitemi për ceremoninë e varrimit bashkë me komunitetin e Cernicës dhe familjen Bllaca”, tha Haziri.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Agim Veliu, ka shprehur ngushëllime për shuarjen e familjes gjilanase. Veliu tha se është shumë i kënaqur që reagimi i policisë dhe i Inspektoratit ka qenë i shpejtë dhe vendimet e para që janë marrë do të jenë një process që do të trajtohen edhe më tutje.

Më pas, Haziri, Veliu e Qalaj, kanë vizituar Drejtorinë Regjionale të Policisë, ku janë pritur nga drejtoresha Elmina Mahmuti./21Media

Back to top button