Sipas Ramës hapësirat e magazinimit po shterren

Sipas Ramës hapësirat e magazinimit po shterren

“Ju lutem mos dërgoni më ndihma ushqimore dhe rroba”, kështu ka porositur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes rrjetit social “Facebook”.

Duke i falënderuar për ndihmat e dhëna Rama kërkon të ndalohet dërgimi i ndihmave ushqimore dhe rrobave pasi hapësirat e magazinimit po shteren.

Rama gjithashtu thotë që të mos dëgjohen të paudhët që hedhin dyshime duke aluduar ligësi e pabesi në lidhje me ndihmat, duke shtuar se nuk ka vjedhje as shitje të ndihmave.

“Kanë ardhur pafund dhe hapësirat e magazinimit po shterren. Në Portin e Durrësit s’ka më kapacitet për depozitimin e tyre dhe nevoja është përmbushur e tejkaluar, falë shumë njerëzve, sipërmarrjeve, organizatave, institucioneve brenda e jashtë! Gjynah nga Zoti të skadojnë a të kalben nga mospërdorimi🙏. NUK KA VJEDHJE NDIHMASH e as SHITJE NDIHMASH, në asnjë lloj niveli shqetësues, por bëhet fjalë për episode krejt të parëndësishme për nga përmasa apo për shfaqje e postime provokatorësh të pashpirt, në LUMIN E NDIHMAVE të solidaritetit fantastik”, ka theksuar Rama.

Ekipi i RTV21, i cili gjendet në Shqipëri ka njoftuar se shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martes në Shqipëri ka arritur në 42. Ndërsa, të lënduar janë qindra persona. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në rrënoja të shtëpive për gjetjen e personave të tjerë, që gjenden nën rrënoja./21Media