Donatorët t'i drejtohen ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile

Donatorët t’i drejtohen ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile

Për të mos pasur spekulime dhe abuzime, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i bëri thirrje të gjithë donatorëve që t’i drejtohen ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile.

“Mund të ketë nevojë për shumë më tepër koordinim dhe harmonizim. Ata që nisen për të ardhur të adresohen në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave për të ndihmuar një shpërndarje sa më të shpejtë ndihmave. Po ndodh një rast konfuzion, një situatë ku nuk po përfitojnë, ose përtej njerëzve që përfitojnë me të drejtë ka dhe abuzim. Ne po përgatitemi për një konferencë donatorësh për zonën shqiptar folëse duke përfshirë si dy shtylla sipërmarrjen në Shqipëri dhe Kosovë. I drejtoj një lutje atyre që nuk po kursehen që ta dinë këtë dhe të na përgjigjen kur të na duhen”, tha Rama sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.

Nga Kosova në Shqipëri kanë arritur qindra-mijëra euro ndihma, ushqim, veshmbathje si dhe në Kosovë kanë ardhur qindra banorë të Durrësit ku janë akomoduar në familje që kanë hapur dyert.

Dy ditë pas tërmetit vdekjeprurës numri i viktimave është rritur në 39. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në orën 4 të mëngjesit u nxorën nga rrënojat 3 trupa në Thumanë.