Rrugët në Kosovë të kalueshme, vështirësi në zonat malore

Lekaj u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj sot ka kërkuar nga kompanitë e kontraktuara që të vazhdojnë me mirëmbajtjen e rrugëve dhe të përmbushin obligimet e tyre konform obligimeve të parapara në kontrata.

Ai këto komente i ka bërë gjatë një vizite inspektuese në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, duke vazhduar deri në Shalë të Bajgorës.

Lekaj u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore, ndërsa është zotuar se dikasteri që ai drejton do të vazhdojë të jetë në gatishmëri për të mbajtur rrugët të hapura nga bora dhe të sigurta për qarkullim në të gjitha rajonet e vendit.

Ekipe të tëra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe kompanitë e kontraktura për mirëmbajtje rrugore janë duke kujdestaruar 24-orë pandërprerë në të gjitha rajonet dhe rrugët e vendit që janë në përgjegjësi të MIT.

Rrugët në mbarë vendin janë të kalueshme, me vështirësi në disa nga zonat malore, ku reshjet e borës janë më të theksuara.

Back to top button