Sejdiu-Haradinajt për grevën: Gjej zgjidhje, ose lësho rrugë!

Sejdiu kërkon që të gjendet një zgjidhje për grevën

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu i ka dërguar letër shefit të Qeverisë, Ramush Haradinaj, lidhur me grevën në arsim. Sejdiu i ka kërkuar Haradinajt të gjejë urgjentisht një zgjidhje për grevën në fjalë.

Sipas Sejdiut, përgjegjësia bie te Haradinaj, në rast se nuk ofron zgjidhje të këtij problemi.

“Gjej zgjidhje, ose lësho rrugë! Letra që sot i dërgova KM Haradinaj, me të cilën kërkova gjetjen urgjente të zgjidhjes për grevën e mësimdhënësve.”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, sot tha se nuk është i shqetësuar me grevat që po mbahen për të kundërshtuar ligjin për pagat dhe se grevat e tilla i ka pritur. Grevat e tilla sipas kreut të Qeverisë janë rezultat i ligjit dhe se është normal që të ketë greva kur bënë ligj pas 20 vitesh.

Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve nga 14 janari kanë hyrë në grevë.

Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit para-universitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë po hyjnë në javën e tretë të mosvijimit të procesit mësimor si rrjedhojë e grevës së mësimdhënësve të cilët kërkojnë rritjen e koeficientit për 30 përqind, në ligjin për pagat./21Media

Back to top button