“Shkarkimet, të domosdoshme për shpëtimin e ndërmarrjeve”

Gërxhaliu pajtohet me Qeverinë për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Vendimet e qeverisë së re për shkarkimin e anëtarëve të bordit nëpër ndërmarrjet publike, konsujve dhe sekretarëve permanent janë të mirëseardhura, pasi që ishte krijuar përshtypja se Kosova është pronë e grupeve të caktuara të interesit dhe po shkatërrohej çdo gjë, sikur edhe ndodhi me Telekomin e Kosovës dhe me kompani të tjera.

Kështu deklaroi në një intervistë për kp, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili shtoi se nuk është shkatërrim vetëm rrënimi, por edhe emërimet e pa nevojshme në kompani publike, shtimi i numrit të punëtorëve dhe politizimi i bordeve që i ka pasur pasojat e veta negative.

Eksperti i ekonomisë, Gërxhaliu pajtohet me Qeverinë për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) dhe ndalimin e egër të privatizimit në vend, derisa foli edhe për vonimin e miratimit të buxhetit për 2020.

Qeveria pas shkarkimit të bordit të Telekomit, në mbledhjen e fundit shkarkoi edhe bordin e Trepçës dhe të Infrakosit.

Gërxhaliu tha se në qoftë se mendohet që procesi i privatizimit edhe pse është në fund, të jetë në funksion të shtetit dhe zhvillimit, në rend të parë duhet të bëhet një prerje e gjendjes aktuale, pastaj një monitorim të asaj se çka ka ndodhur dhe si është e mundur që 27 mijë hektarë tokë të privatizohen për 90 milionë euro.

Ai po ashtu shprehu habinë sesi është e mundur fabrikat në vlera enorme sot të jenë hapësira për ndërtim.

Gërxhaliu më tej tha se qeveria aktuale vërtet është duke u ballafaquar me probleme të shumta të trashëguara nga e kaluara dhe e tëra kjo e dëmton gjendjen aktuale, por duhet të ketë durim që të priten të paktën 100 ditët e parë të qeverisë aktuale, e pastaj të maten efektetet qoftë pozitive ose negative.

Për buxhetin 2020, ai tha se është humbur mjaft kohë, dhe kërkon që buxheti i ri të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe integrimit.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në muajin mars bëhet buxheti për vitin 2020 dhe nuk janë vonuar për hartimin e projektbuxhetit, por sipas të cilit, do jetë një buxhet i dobishëm për shtetin.

 

Back to top button