Studentët “jo” dialogut me Ramën, shtojnë kërkesën: Shfuqizo Ligjin e Arsimit të Lartë!

Studentët i janë përgjigjur me “jo dialog” dhe “plotëso kërkesat” apelit të kreut të qeverisë

Studentët shqiptarë vazhdojnë të refuzojnë ofertat e vazhdueshme të kryeministrit Rama për dialog në lidhje me 8 pikat e tyre.

Të mbledhur të shumtë në numër para parlamentit ku zhvillohet seanca e radhës plenare, ata i janë përgjigjur me thirrje në kor “jo dialog” dhe “plotëso kërkesat”, apelit të kreut të qeverisë që studentët të shkonin madje edhe brenda në sallën e kuvendit dhe të diskutonin në sy të publikut kërkesat e tyre.

Një pjesë e studentëve tani kanë shtuar si kërkesë të tyre shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë!

Qindra forca rendi janë vendosur në hyrje të parlamentit për të siguruar rend e qetësi në protestën e studenteve, e cila është në ditën e 10-të.

Një numër i konsiderueshëm studentësh kanë shkuar me autobus edhe nga rrethet si Elbasani, Durrësi dhe Shkodra.

Bashkë me ta në proteste janë edhe nxënës të shkollave të mesme të Tiranës, raporton vizionplus.

Back to top button