Meta prositi: Të jemi bashkë drejt vlerave evropiane

Meta prositi: Të jemi bashkë drejt vlerave evropiane

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot ishin në Shtime për të bërë homazhe në Reçak.

Duke kujtuar krimet dhe gjenocidin që u bënë para 21 vjetësh në Reçak, ku u masakruan 45 civilë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për heshtjen ndaj krimeve serbe në Kosovë.

“Dua ta shpreh revoltën si president i Kosovës edhe sot se bashkësia ndërkombëtare për fat të keq duke mos dashur që të ia prish qejfin Serbisë ka heshtur së zbardhuri rastet e 400 masakrave të kryera në Kosovë, masakra e Reçakut, e Izbicës, Krushës e shumë e shumë masakra të tjera. Ka heshtur drejtësia ndërkombëtare edhe në rastin e dhunimit të 20 mijë grave shqiptare të dëbimit të rreth 800 mijë qytetarëve shqiptarë nga Kosova.”, tha Thaçi duke shtuar se pavarësisht kësaj rrugëtimi i Kosovës është ai euroatlantik.

Ai tha se do të punohet për të forcuar shtetin e Kosovës, por duke kërkuar drejtësinë, që shteti i Serbisë duhet të japë llogari për krimet në Kosovë, përcjell portali rtv21.tv

“Edhe tendenca e fshehjes apo edhe e mohimit mbi të gjitha të krimit nga autoritetet e Serbisë në veçanti të masakrës së Reçakut është një sjellje e mentalitetit të Sllobodan Millosheviqit”, deklaroi presidenti Thaçi.

Ai përsëriti se sjellja e autoriteteve serbe ka ardhur si pasojë e heshtjes së ndërkombëtarëve. “Për 20 vite të tëra përveç ambasadorit Walker nuk vinin për t’i vizituar dhe sensibilizuar për këtë masakër, kështu që ishte shtytje edhe guxim i autoriteteve të Serbisë që të pretendojnë se mohuari masakrën e Reçakut. “, tha Thaçi.

Në anën tjetër, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se ishte kjo sakrificë e popullit të Reçakut që shokoi mbarë botën dhe vuri në lëvizje diplomacinë botërore.

“Kjo masakër por edhe tjerat që kanë ndodhur në Kosovë në kuadër të një plani për spastrim etnik me të gjitha zhvillimet edhe pasojat e saj shumë qartë tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor pa dyshim që gjithmonë tirumfojnë ndaj gjenocidit , dhunës dhe barbarizmit”, tha Meta.

Ai tutje shtoi se çdo përpjeke për të mohuar çdo masakër në këtë rajon nuk është gjë tjetër veç se një rrezik për reciklimin e dhunës. “Të gjithë ne duhet të qëndrojmë të bashkuar drejt vlerave më të mira evropiane dhe të bjëmë gjithçka që ngjarjet e tilla të mos përsëriten në rajonin tonë dhe këtë mund ta bëjë vetëm një e ardhme e përbashkët.”, përfundoi Meta./21Media