Protestuesit po vazhdojnë protestën e tyre para hyrjes së minierës në Stantërg

Protestuesit po vazhdojnë protestën e tyre para hyrjes së minierës në Stantërg

Në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në ndërmarrjen Trepça, dhjetëra protestues, në ditën e katërt të protestës së tyre bllokuan sot në mëngjes rreth 40 minuta rrugën Mitrovicë-Stantërg.

Ata rreth orës 6:30, tek Tuneli i Parë, fillimisht kanë lënë disa automjete në rrugë, pastaj i kanë larguar ato dhe kanë vazhduar të qëndrojnë në rrugë, duke paralizuar kështu lëvizjen e plotë nga Mitrovica në drejtim të Stantërgut dhe anasjelltas

Njëkohësisht, në këtë mënyrë u pamundësua edhe shkuarja në punë e shumë minatorëve nga Mitrovica në minierën e Stantërgut dhe në flotacion, ndërsa protestuesit më vonë liruan qarkullimin e automjeteve të vogla, por jo edhe të autobusëve me punëtorë.

Herë-herë pati tensione në rastet kur protestuesit identifikonin pumëtorët, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetet e tyre, të cilat i kthenin mbrapsht.

Arsim Musa, nga këshilli protestues bëri të ditur për Kp, se qëllimi i bllokimit të rrugës ka qenë mos lejimi i shkuarjes në punë të atyre punëtorëve, të cilët nuk i kanë mbështetur këto protesta.

Sipas tij, përkundër thirrjes së protestuesve për takim me kryeministrin ose ministrin e Zhvillimit Ekonomik, ata akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigjie.

Ndërkaq, Ahmet Xhosha, komandanti i stacionit policor në Mitrovicë tha se është arritur që me mirëkuptim dhe në mënyrë profesionale të komunikohet me protestuesit për t’i bindur ata që ta zhbllokojnë rrugën.

Pas zhbllokimit të rrugës, protestuesit po vazhdojnë protestën e tyre para hyrjes së minierës në Stantërg.