​Kurti: KEK-u ka nevojë për investime të duhura

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar sot Korporatën Elektro-energjetike të Kosovës (KEK), ku është takuar me ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Luigj Imeri, nga i cili u informua mbi punën e kësaj korporate, veçanërisht në situatë pandemie.

Sipas u.d. të kryeshefit ekzekutiv, Luigj Imeri, në përputhje me këshillat mjekësore dhe masat e Qeverisë me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit, KEK-u ka reduktuar stafin e punëtorëve, por pavarësisht kësaj furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë i rregullt.

Ai tha se punëtorët janë pajisur me masat mbrojtëse me kohë dhe gjatë gjithë kohës kanë respektuar udhëzimet përkatëse.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se KEK-u është pasuri natyrore dhe shprehu mbështetje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar ashtu që rritet dhe stabilizohet prodhimi dhe të përmirësohen kushtet e punës në këtë ndërmarrje.

“KEK-u ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomisë duke qenë se energjia është epiqendër e zhvillimit ekonomik”, tha Kurti.

Ai tha se Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E largon Kosovën nga blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe e bashkon me bllokun rregullues Kosovë-Shqipëri, dhe mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Si e tillë, ajo do të jetë ndihmë për gjenerim më të madh përveç se furnizim më të mirë me energji elektrike”, u shpreh ai.

Në këtë vizitë u përfshinë vizitat në Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova – B. 

Back to top button