​ Brusa: Të hiqen kufijtë që pengojnë operatorët ekonomik

U diskutua për projektin “Asistenca për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit , Direktiva e Shërbimeve të BE-së”

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, i votuar dje në Kuvendin e Kosovës është një tullë në rrugën drejt Bashkimit Evropian që do të lehtësojë edhe punën e bizneseve kosovare që të jenë prezent në tregjet e BE-së.

Kështu ka thënë Luigi Brusa, shef i sektorit për bashkëpunim nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë , gjatë diskutimit të projektit “Asistenca për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit , Direktiva e Shërbimeve të BE-së”.

“Po flasim për kufijtë fizik. Kufijtë fizik siç e dini siç e pamë dje duhet të pajtohen të dakordohen por ka kufi të cilët duhet të minimizohen dhe mundësisht të shkatërrohen dhe këtë janë kufijtë administrativ që janë në vështirësi shpesh herë për operatorët ekonomik në veçanti për ata që veprojnë në fushën e shërbimeve . Marrëveshja MSA-ja që është një kontratë e gjatë mes shumë detaje të mëdha dhe të vogla dhe një nga këto detaje dhe një nga këto rregulla që duhet të zbatohet ka të bëjë me lëvizjen e lirë . Lëvizje të lirë të operatoreve të shërbimeve “, tha Brusa.

Ai po ashtu ka thënë se edhe legjislacioni i përgatitur nga pala kosovare ka bërë që operatorëve ekonomik t’iu mundësohet atyre zmadhimi i tregut në Bashkimin Evropian.

“Nëse, procesi i hyrjes në BE do të vazhdojë në mënyrë të shpejtë do të thotë që operatorët e Kosovës do të kenë qasje në tregun e BE-së ku më shumë se 500 milionë konsumatorë blejnë produkte edhe kosovare dhe do të kenë qasje në këtë treg të madh.“, deklaroi  Brusa.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, ka thënë se pjesa më e rëndësishme e projektit ishte aktiviteti i shqyrtimit të legjislacionit sektorial i cili rregullon qasjen në shërbimet individuale dhe ushtrimin e tyre duke shtuar se përfitimet janë të mëdha.

“Përfitimet e këtij shqyrtimi janë jashtëzakonisht të mëdha. Kjo ka shpie në shqyrtimin e legjislacionit dhe në përgatitjen e planit të veprimit për ndryshimet e tij ashtu që të arrihen përfitimet e plota nga implementimin i direktivës së BE-së që janë rregulla me marrëveshjen MSA-së……Ky projekt ishte një test i vërtetëpër procesin e ardhshme drejt anëtarësimit dhe ofron një mësim shumë të çmuar të mësuar nga administrata e Kosovës”, tha Thaçi.

Drejtori për ekonomi dhe treg të brendshëm nga Ministria e Integrimeve, Jeton Karaqica deklaroi se Kosova ka vendosur një bazë të mirë ligjore dhe ka bërë një hap të mirë por ka ende punë për t’u bërë në konsolidim të sektorit të shërbimeve në përgjithësi.

”E para në ndërtim të kapaciteteve për zbatim efektiv të MSA-së dhe rrjedhimisht për ecje përpara në procesin e integrimit . Dhe e dyta për të rritur përpjekjet për përafrim ligjor në kuadër të këtij procesi . Mesazhi kryesor prej anës sonë është që kush do të përfitonte prej zhvillimit të kësaj fushe duhet thënë patjetër që janë dy përfitues të mëdha kryesor . I pari është bizneset , për shkak se ky proces thjeshtëson procedurat e të bërit biznes edhe përfituesi dytë është qytetari “, tha Karaqica.

Sytrime Dervisholli nga MTI,  deklaroi se Kosova ka performuar vazhdimisht nga viti 2004 me një bilanc tregtar pozitiv në sektorin e shërbimeve .

Sipas saj viteve të fundit eksporti i shërbimeve ka tejkaluar mbi 1 miliardë euro për çdo vit.

Back to top button