​109 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

Sot 109 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e kanë shpallur Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e parë e kishte mbajtur më 28 nëntor 1912, me aktin s shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qenë kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës kishte pasur një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës ishte detyruar të tërhiqej dhe t’ i lëshonte vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.
Edhe më keq, Shqipëria ishte goditur në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike e kanë copëtuar gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 i ka pranuar pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike. Gjysma e popullsisë shqiptare kanë mbetur nën sundimin serbo- malazez dhe grek.
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 ishin formuar edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. Ishin ngritur forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe kishte nisur puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.
Qeveria e Vlorës kishte vënë gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe ishte shpallur si gjuhë zyrtare dhe ishte vendosur hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që kishte nxjerrë Qeveria e përkohshme e Vlorës ka qenë ”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që ishte botuar në nëntor 1913.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës kishte zgjedhur edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.
Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.

Back to top button