​26 vjet nga masakra e Srebrenicës

Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç kishte lëshuar një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat kishin rrethuar enklavën dhe sulmuar paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre. Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës kishin filluar të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kishin kërcënuar serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.
Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s kishin bombarduar tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kishin kërcënuar të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore ishin ndalur dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç kishte hyrë në Srebrenicë. Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë ishin grumbulluar rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës kishin marrë nën kontroll zonën e sigurt.
Mlladiç ishte përpiqur t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët ishin evakuuar në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej kishin filluar të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.
Kombet e Bashkuara kishin vënë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe kishin filluar të shqetësoheshin për fatin e burrave.
Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës ishin larguar natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë persona kishin vdekur nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.
Gjatë javës, kishte pasuar rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djemë mendohet se janë vrarë nga serbët e Bosnjës dhe janë varrosur në varre masive.
Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i kishin hedhur në varre. Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.
Ndërkaq, në seancën e 7 korrikut (2021), deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Këtë rezolutë e kanë mbështetur të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe, e cila ka lëshuar sallën në momentin që është inicuar kjo rezolutë. Deputeti Bahri Shabani nga koalicioni Vakat ka paraqitur projekt-rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë, me qëllim që kjo ngjarje të mos harrohet dhe të mos mohohet.

Back to top button