Avokatët ndërpresin bojkotin e punës
Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim sot që të ndërpritet bojkoti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe në përfaqësimet e avokatëve në Policinë e Kosovës sipas kompetencës së këtyre prokurorive.
Ndërprerja e bojkotit është bërë pasi paraprakisht, kryetari i OAK-ut Behar Ejupi së bashku me nënkryetarin Naim Rudari, zhvilluan takime me Kryesuesin e KPK-së Jetish Maloku dhe bashkëpunëtoret e tij, kështu duke arritur marrëveshje për eliminimin e pengesave të qasjes së avokatëve në objektet e sistemit prokurorial.
Pas disa takimeve kryetari Ejupi së bashku me kryesuesin Maloku arritën dakordimin ashtu që KPK sot ka hartuar një udhëzim të veçantë për qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial të Kosovës, i cili udhëzim është aprovuar sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Udhëzimi në fjalë përcakton qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial në nivel vendi, në atë mënyrë që nuk cenohet dinjiteti i avokatit ndërsa në anën tjetër respektohen procedurat e sigurisë së objekteve të sistemit prokurorial.
Gjatë këtyre takimeve u diskutuan edhe një sërë çështjesh tjera që prekin interesin e drejtpërdrejtë të avokatëve dhe se së shpejti, do të punohet në koordinim të ngushtë me KPK për zgjidhjen e të gjitha çështjeve në interes të të dy institucioneve, por edhe në të mirë të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, thuhet në një komunikatë për media.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?