​Bie numri i rasteve me koronavirus në Spitalin e Gjakovës, rriten kërkesat për shërbimet post-COVID

 
Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda” aktualisht janë duke u trajtuar pesë pacientë me COVID-19, ndërsa tre janë në pritje të rezultateve të testeve. Këta pacientë që po trajtohen në spitalin e Gjakovës janë nga zona veriore e Shqipërisë.
Nga ky institucion publik shëndetësor thonë se tashmë ka filluar të rriten kërkesat spitalore për trajtim të pasojave nga COVID-19.
Kështu ka bërë të ditur në një intervistë, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, Hilmi Shala i cili tha se gjendja e pacientëve është stabile pasi janë edhe të imunizuar karshi koronavirusit.
“Fatmirësisht si në gjitha institucionet e Kosovës edhe në institucionin tonë ka rënie të numrit të pacientëve. Sot kemi vetëm 8 pacientë, 5 nga ta janë pozitivë, 3 pritet të konfirmohen do u bëhen testet. Çka është për tu theksuar se të gjithë pacientët janë nga Shqipëria, që të tetët janë nga zona veriore e Shqipërisë, nga Kosova nuk kemi asnjë pacientë që është Covid pozitiv i shtruar tek ne[…]Kryesisht mirë edhe pse janë disa në moshë por janë të vaksinuar dhe po besoj që do e kalojnë shumë mirë COVID-in pasi disa edhe janë të vaksinuar”, theksoi ai.
Shala thotë se ndonëse tani ka rënie të rasteve pozitive që po kërkojnë spitalizim, në këtë institucion shëndetësor janë rritur kërkesat për shërbime post-COVID.
“Momentalisht ka edhe pacientë të cilët që janë negativë por janë post-COVID, por ka filluar kjo që thoni ju që tek ne të rikthehen pacientët post-COVID”, thotë drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës.
Drejtori i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë thotë se aktualisht janë rikthyer shërbimet në të gjitha repartet, derisa thotë se në këtë nëntë mujor të vitit 2021 shërbime spitalore kanë marr mbi 11 mijë e 500 pacientë.
“Ne jemi kthyer në normalitet, të gjitha repartet tanë janë në funksion të pacientëve, por edhe kur ishim me COVID të gjitha repartet kanë funksionuar i kemi bëre nga 2-3 reparte në një repart për 9 muaj ne i kemi pasur afërsisht 11 mijë e 500 pacientë të cilët kanë qenë të hospitalizuar për shërbime të ndryshme janë realizuar diku 1350 operacione të ndryshme kemi pasur 684 lindje gjini mashkullore dhe 643 gjini femërore. Poashtu kemi mbi 75 mijë vizita mjekësore që janë realizuar shërbime të ndryshime”, tha ai.
Derisa ka bërë thirrje që sa më shumë qytetarët t’i përgjigjen vaksinimit kundër COVID-19, Shala tha se brenda çdo dite vetëm 5% e pacientëve kanë qenë të vaksinuar dhe ata e kanë kaluar shumë më lehtë infektimin me koronavirus.
“Çdo herë i kemi pas 5 % të pacientëve që kanë qenë të vaksinuar por fatmirësisht të gjithë kanë kaluar mirë pacientët që kanë qenë të vaksinuar kanë kaluar mirë dhe është fat që një institucionin tonë ata që kanë qenë të vaksinuar gjithçka ka shkuar mire”, u shpreh Shala.
Meqenëse tani jemi në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, Hilmi Shala shprehet i bindur se me këtë trend të vaksinimit Kosova do arrij ta mposhtë COVID-19.
“Sa kam parë deri tani nuk ka pasur shumë fushata me shumë njerëz në grumbuj të mëdha po uroj dhe po apeloj tek politikanët që të keni kujdes se pastaj shëndetësia dhe punëtorët shëndetësorë po e kanë mbi supe menaxhimin e pandemisë. Nëse vaksinimi i qytetarëve ndodh siç është duke shkuar tani unë jam i bindur se si Kosovë do e kalojmë pandeminë mirë”, tha Shala.
Aktualisht situata me koronavirus në Kosovë është më e qetë, në 24 orët e fundit pozitë kanë rezultuar 41 persona, ndërsa 1 persona ka vdekur si pasojë e infektimit.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar mbi 8 mijë e 600 persona./kp

Back to top button