​Çeku dhe Lladrovci diskutojnë për një pishinë gjysmë olimpike

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka takuar sot kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me të cilin kanë diskutuar për përmirësimin e infrastrukturës fizike, projektet e përbashkëta kapitale në sport, kulturë, rini dhe trashëgimi kulturore.
Çeku ka shkruar në Facebook se kanë diskutuar edhe për projektet që janë duke u realizuar dhe planet për vitet në vazhdim.
“Dëgjuam kërkesat e tyre dhe ofruam bashkëpunimin tonë. E filluam me stadiumin e qytetit “Rexhep Rexhepi” një projekt i zvarritur të cilin po e vazhdojmë. Aktualisht po punohet në ndërtimin e zhveshtoreve dhe përfundimin e pjesës së mbetur të kësaj faze, ndërsa u pajtuam ta shqyrtojmë kërkesën për ngritje të kapaciteteve të ulëseve në stadium në mënyrë që të plotësojë kushtet për lojëra të ligave më të mëdha. Fusha ndihmëse e futbollit në Komoran është një projekt që pritet të përfundojë së shpejti dhe të jetë e qasshme për sportistët. Nga komuna u njoftuam që problemet me leje ndërtimore dhe me zhvendosjen e gypit të ujit të pijes janë zgjidhur dhe puna po vazhdon. Diskutuam edhe për pishinën gjysëm olimpike. U pajtuam që të verifikohet projekti dhe më pas të shqyrtohen mundësitë për zbatimin në vitet e ardhshme. Një projekt shumë me rëndësi është edhe ndërtimi i Poligonit të Shigjetarisë. U pajtuam që Komuna e Drenasit të propozojnë dy apo tri lokacione potenciale dhe të fillohet puna në këtë drejtim”, ka shkruar ai, duke shtuar se e ka njoftuar kryetarin Lladrovci se së shpejti pritet të fillojnë hulumtimet dhe ndërhyrjet restauruese në Kalanë e Vuçakut, një hapësirë arkeologjike përplot vlera dhe histori.
“Po ashtu restaurimi i Muzeut të poetit Ymer Elshani në fshatin Korroticë. Projekti i restaurimit po hartohet nga profesionistët e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, po ashtu edhe konceptimi i ekspozitës dhe revitalizimi i këtij aseti të trashëgimisë arkitekturore dhe shpirtërore. Duke e falënderuar për pritjen, shpreha gatishmërinë për të vazhduar punën e përbashkët drejt përmirësimit të cilësisë dhe ofrimit të infrastrukturës së përshtashme për zhvillimin e veprimtarive në sport, kulturë, rini e trashëgimi”, ka shkruar ai.
Kurse, Lladrovci ka shkruar se e ka njoftuar ministrin me punën dhe aktivitetet e përqendruara në Kulturë, Rini, Sport në këtë komunë.
“Diskutuam rreth investimeve të planifikuara, ato në proces, si dhe nevojën për një qendër muzeale të komunës, etj. Gjatë vizitës në Sheshin “Fehmi Lladrovci” Ministrin Çeku e njoha me projektin ideor për sheshin, Parkun e Qytetit dhe parkingjet nëntokësore në Shesh.Po ashtu, Ministrit ia dhurova librin “Përjetësia e dyfishtë” e autorit Bedri Islami, kushtuar heroit dhe heroinës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, ndërsa bashkëpunëtoreve të Ministrit, medaljone të punuara nga duart e arta të grave të Drenasit”, ka shkruar ai.

Back to top button