​Dumoshi në Gjilan përkrah projektin “S’Duhani”

 

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, pasditen e së mërkurës ka qëndruar në Qendrën rinore në Gjilan, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune Lutfi Haziri, si dhe një numër i të rinjve.

Me këtë rast, Ministrja e MKRS Vlora Dumoshi, ka përkrahur projektin, “S’Duhani”, i cili përfshin të rinjtë nga mosha 15-21 vjeç. E që ka për qëllim vetëdijesimin e të rinjve kundër duhanpirës, si dukuri negative.

Ministrja Dumoshi, ka theksuar se edhe në këtë kohë pandemie do të përkrah projektet e të rinjve.

“Si ministre e MKRS edhe pse në kohë pandemie, jemi munduar me iu qëndru afër me thirrjen të cilën e kemi bërë për mbështetjen e organizatave të ndryshme në krejt Kosovën. Sot është prezantimi i projektit fitues i cili është dorëzu në ministri, një projekt vetëdijësues për moshat e reja të cilat ia fillojnë duhan pirjes. Këto projekte edhe pse ndonjëherë mbështetën me shumë simbolike, impaktin e kanë shumë të madh”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se komuna që ai udhëheq vazhdimisht po përkrah projektet e të rinjve.

“Jemi mysafir të Elitës e cila me një konkurrencë jo të vogël ka arrit me qenë përfituese në një program të rëndësishëm. Së bashku me Eliten janë edhe katër fitues të tjerë të programeve të OJQ-ve në Gjilan, ne e kemi bashkëngjitë edhe fondin e komunës me kërkesën e OJQ-ve”, ka thënë Haziri.

Kurse, përfaqësuesja e Projekti “S’Duhani”, nga Rinia studentore “Kadri Zeka” në Gjilan, Elite Bardhi, ka thënë se dukuria negative e duhanpirës e cila prek më shumë moshat e reja, nuk ka përkrahje të duhur institucionale.

Ajo u shpreh falënderuese ndaj MKRS dhe komunës së Gjilanit, për përkrahje të këtij projekti.

“’S’duhani’ është njëri ndër projektet i cili ka ardhur kohët e fundit nga organizata Rinia studentore ‘Kadri Zeka’, e mbështetur nga MKRS. Ideja e këtij projekti është më shumë me vu theksin në dukurin e cila e ka përfshirë shumë rinin kosovare, e cila nuk po e merr vëmendjen e duhur nga institucionet tona…Falënderoj Ministren Dumoshi për përkrahjen e organizatës tonë si dhe kryetarin i Haziri i cili na ka përkrahur me thirrjen e hapur rreth 100mijë euro me drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport”, ka thënë ajo.

Dumoshi gjatë ditës do të vizitoj edhe të rinjtë e komunitetit serb në Ranilluk. /kp

Back to top button