​Fermerët e Istogut morën premtim se do ta kenë ndihmën e qeverisë

 

Fermerët në Istog kanë pësuar humbje të mëdha si pasojë e breshërit dhe reshjet e fundit të shiut në vendin tonë. Ky është dëmi i dytë që iu bë fermerëve të kësaj komune brenda këtij viti, derisa kërkojnë mbështetjen e Qeverisë dhe komunës, flasin edhe për shuma të mëdha të humbjeve që iu janë shkaktuar si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore.

Fermeri Shkelzen Krasniqi tha se janë dëmtuar nga kjo fatkeqësi natyrore dhe ende nuk kanë marrë ndonjë përkrahje nga Ministria e Bujqësisë apo komuna.

“Dëmet në bazë të specave të misrit dhe fasulet është diku 3000-3500 euro, në bazë të viteve të kaluara çka kemi marrë prej këtyre pjesëve, dhe marrim edhe tokën me qere”, tha ai.

Kurse, pronari i një kompanie në Istog, Halit Avdija tha se është dëmtuar nga breshëri në komunën e Istogut. Ai shtoi se në të gjithë Kosovën kanë të kontraktuara dhe mbjellë rreth 60 hektarë me presh, gjë që është dëmtuar më së shumti.

“Këtu kryesisht e ka dëmtuar preshin. Hera e parë është që e kemi fut specin si produkt organik për tregun e jashtëm, me terë, edhe atë e ka dëmtuar në komunën tonë, pastaj lulediellin dhe këto bimët tjera aromatike që i kemi ne palestrën e prodhimit, të kultivimit…….fatkeqësisht jo asnjëherë deri tani, tani ministri premtoi se i kanë marrë parasysh dëmet e erës që kanë ndodhur në fillim të vitit dhe do të kompensohen diku rreth 25 përqind sipas informatave që morëm sot ”, tha ai.

Avdija shtoi se dëmet arrin diku rreth 500 mijë euro që iu kanë bërë në kompaninë që drejton.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa vizitoi sot këta fermerë, ku pa nga afër gjendjen e bujqve në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, pas dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore.

Ministri Mustafa i njoftoi fermerët se komunat do të formojnë komisione që do të bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve nga breshëri, të cilat do të kompensohen brenda mundësive buxhetore të ministrisë duke u bazuar në listat e përpiluara nga këto komisione komunale.

“Komisionet e përbashkëta të komunës dhe ministrisë do të bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e këtyre dëmeve dhe pastaj brenda mundësive buxhetore do të nxjerrim vendim në mbledhjen e qeverisë për të kompensuar pjesërisht këto dëme nga fatkeqësitë natyrore“, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova tha shpreson që me vendimet e qeverisë, bashkërisht t’i kompensojnë dëmet që janë dëmtuar.

“Si pasojë e dëmeve që ka ndodhë dje me rastrin e breshëritë që ka qenë në disa komuna, e ka prekur edhe komunën tonë, po e shihni edhe në këtë vend ku jemi këtu. Ne po e shohim mundësinë si komunë, fermerët që vërtet janë dëmtuar dhe bashkë me ministrin t’i shohim mundësinë e përkrahjes së fermerëve dhe kompensimin eventual të dëmeve“, tha Rugova.

Ministri Mustafa vizitoi edhe fermerët e Komunës së Pejës, Deçanit dhe të Junikut./kp

Back to top button