Fillon të dëgjohet dëshmitari i dhjetë në gjykimin ndaj Salih Mustafës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ku po dëgjohet dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Pyetjet e ZPS-së për dëshmitarin e mbrojtur kanë filluar me seancë të mbyllur me kërkesë të prokurores Silvia D’Ascoli. Dëshmitari i dhjetë, i cili mban kodin W04674 po dëgjohet nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i së cilit nuk bëhet i ditur për publikun.
Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.