Gastronomët thonë se rikthimi i TVSH-së në 18% do t’ua kthejë 2020
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës konsideron se mos vazhdimi i TVSH-së nga 8% pas 31 dhjetorit 2021, do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen në këtë sektor.
Sipas tyre, rikthimi i TVSH-së në 18% do t’ia kthejë 2020-tën gastronomisë.
“Me datë 24 shtator të këtij viti jemi marrë vesh dhe na keni premtuar që do të shqyrtojmë vazhdimin e TVSH-së edhe për vitin tjetër dhe do të takohemi prapë, dhe ju përveç se na keni gënjyer, përgjigjet po na i jepni përmes konferencave mediatike! Kjo ministri, jo që nuk po na ndihmon, po e njëjta po dëshiron fundosjen e këtij sektori!
Jeni duke i fundosë bizneset të cilat sapo filluan të këndellen, dhe jeni duke i shkatërruar ato që gjithmonë dhanë kontribut ndaj këtij vendi!”, thuhet në reagimin e gastronomëve.
Ata kërkuan takim urgjent me kryeministrin Albin Kurti.
“Edhe njëherë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, me shpresën që të menaxhojë me pandeminë dhe me gjendjen ekonomike si trung e jo si degë të veçanta. Prandaj, kërkojmë takim urgjent me kryeministrin e vendit, e jo me vartësit e tij, sepse këta të fundit po e shohin pandeminë nga një perspektivë dhe po i injorojnë vështirësitë e tjera që po na kanosen përditë!”, thuhet tutje në reagim./21Media