​Grante në bujqësi përfituan edhe bizneset që nuk merren me këtë sektor

Në dy raporte të ndara, Instituti GAP ka analizuar se si kanë ndikuar grantet dhe subvencionet në prodhimin bujqësor, megjithëse këto dy hulumtime tregojnë se përkundër programeve dhe shumave që ndahen me rreth 48 milionë euro çdo vit për grante dhe subvencione, nuk janë arritur rezultatet e pritura.
Gjatë prezantimit të raportit “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”, Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, ka thënë se duke iu referuar edhe raporteve të auditorit, disa bizneset që nuk kanë qenë në sektorin e bujqësisë kanë përfituar nga programi i granteve për bujqësi.
Zyra Kombëtare e Auditorit ka vlerësuar se menaxhimi i sektorit të bujqësisë nuk është bërë në mënyrë të duhur.
Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit, ka thënë se procesi i monitorimit të rezultateve të granteve aktuale ka mangësi dhe nuk sigurojnë matjen e rezultateve dhe krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori.
Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli, ka thënë se arrestimet e fundit janë një rezultat i keqpërdorimeve të mëdha për grante dhe subvencione.
Deputetja ka theksuar se arrestimet e fundit në Ministri të Bujqësisë janë si rezultat i angazhimit dhe denoncimit nga deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, për keqpërdorime në këtë sektor.
Pacolli ka shtuar se si Komision i Bujqësisë e kanë kuptuar se situata në bujqësi është alarmante, dhe mbeten të përkushtuar të fuqizojnë legjislacionin për bujqësi.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pavarësisht konfirmimit, nuk mori pjesë në këtë tryezë.

Back to top button