Haziri reagon për vrasjen në Gjilan: Jam i tronditur
Për vrasjen dhe plagosjen që ndodhi mbrëmë në Gjilan, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.
Haziri është shprehur i tronditur për vrasjen e të riut dhe plagosjen e personit tjetër i cili është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin rastin.
“Jam i tronditur pas lajmit të mbrëmshëm për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në Gjilan. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoj nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet deri në fund”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërkohë që lidhur me këtë rast janë ndaluar pesë persona si të dyshuar. Kështu ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjilan.
Ndërsa, i plagosuri i cili fillimisht u trajtua në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës./21Media