​Hoti nga Klina: Viti duhet të përmbyllet me liberalizim të vizave

 

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur tubim me qytetarë e struktura në qytetin e Klinës, ku ka thënë se për gjashtë muaj qeverisje kanë dëshmuar që dinë të menaxhojnë dhe rimëkëmbin ekonominë e vendit.

Hoti ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në Klinë për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilëve u ka premtuar reforma në arsim e shëndetësi e gjithashtu ka thënë se ky vit duhet të përmbyllet me liberalizim të vizave.

Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, njohjen nga Izraeli e vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës me ushtrinë amerikane, i ka përmendur Hoti si suksese të qeverisë që ai e ka drejtuar, duke shtuar këtu ndihmën për bizneset dhe qytetarët e goditur nga pandemia.

“Duhet të përmbyllet viti me liberalizim të vizave, nuk japim premtime për data por ne punojmë ditë e natë me krejt qeveritë e vendeve të BE-së si anëtare te partive popullore evropiane. Dhe t’i kthehemi reformës në arsim, reformave në shëndetësi, reformave në ekonomi… Kemi pasur një qeverisje gjashtë-shtatë mujore ndoshta më të vështirën në periudhën 29-vjeçare për shkak të pandemisë kryesisht, por kemi dalë me rezultate më të mira që ka pasur ndonjëherë në qeveri tash më tash, edhe në menaxhimin e pandemisë edhe në rimëkëmbjen ekonomike duke ofruar qytetarëve dhe bizneseve mbështetjen e nevojshme me pakon më të madhe të rimëkëmbjes ekonomike në tërë rajonin”, tha Hoti.

Në Klinë, Hoti ka thënë se dy kryeministrat para tij nuk kanë pasur guxim e vizion të përballën me çështje të mëdha dhe t’i dalin në mbrojtje shtetit.

“Njëri duke vendosur taksë 100% duke bllokuar veten dhe vendit, tjetri duke imagjinuar harta dhe thika dhe u izolua vendi e morëm sanksione. Për disa javë në qeverisjen tonë ne kemi shkuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe për mua ka qenë bukur e lehtë për ta bërë atë punë, sepse e ka trasuar rrugën presidenti Rugova. Partnerët tanë e kanë ditur, prej Uashingtonit në Berlin, e gjithkund nëpër Evropë e kanë ditur se po flasin me një kryeministër të LDK-së, të presidentit Rugova. Ne kërkojmë mbështetjen tuaj për të vazhduar rrugën që kemi nisur”, tha Hoti.

Sipas Hotit, kandidatët nga partitë e tjera që po synojnë postin e kryeministrit nuk po ballafaqohen në debat, pasi nuk kanë program për të ofruar.

“I kam ftuar gjatë këtyre ditëve këta të tjerët t’i ballafaqojmë programet tona, të flasim edhe për qeverisjen tonë gjashtëmujore dhe programet për katër vitet e ardhshme, asnjëri nuk është i gatshëm sepse nuk kanë çka të ofrojnë. Japin premtime kot, të pamenduara, që nuk kanë asnjë logjikë elementare, sepse nuk kanë përmbajtje. Shihni listat e tyre, lista të mbushura me ekstremistë të të gjitha formave, njerëz që e kanë idol komunizmin dhe Enver Hoxhën. Disa kolegë tonë, ish-kolegë tonë i janë bashkuar asaj liste, është zgjedhje e tyre, në vend se të jenë bashkë me gra e burra të LDK-së, njerëzit më të mirë profesionistë, akademikë, njerëz me integritet, është zgjedhje e tyre”, tha Hoti.

Ndryshe, tubimi i LDK-së në Klinë u mbajt pa respektuar masat antiCOVID.

Back to top button