​IKSHPK apelon qytetarët për kujdes: Gripi sezonal po shton intensitetin

 
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës(IKShPK) ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes, pasi gripi sezonal ka shtuar intensitetin
“Edhe pse gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, vërehet një intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse tetor-maj”, thuhet në shkrimin e IKShPK-së.
Bëhet e ditur se prej 1 tetorit deri më 9 dhjetor në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9 mijë e  788 raste të Sëmundjes të ngjashme me grip, 2.033 raste infeksione respiratore akute dhe 57 raste me infeksion të rëndë respirator akut.
“Në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit është identifkuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponenten e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar. Gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale janë hospitalizuar 6 raste me infeksione akute respiratore” bëhet e ditur në njoftimin e IKShPK-së.
Instituti Kombëtar apelon te të gjithë Drejtorët Komunal të Shëndetësisë të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
“E përsërisim rekomandimin tonë që Inspektorati shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse. Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithē personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar”, ka njoftuar IKShPK.
Si të mbroni vehten dhe të tjerët:
* Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
* Nëse keni shenja të gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore!
* Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
* Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
* Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve!
* Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes!
* Hidhni faculetën menjëherë pas përdorimit në shportën e mbeturinave!
* Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara!
* Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi!
* Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni!
* Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku qëndroni!
* Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik!./21Media

Back to top button