IKSHPK thirrje për respektim të masave: Situata mund të përkeqësohet
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka vlerësuar se situata me pandeminë në vendet në rajon dhe më gjerë është përkeqësuar, këto kohët e fundit. Ndërsa, situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve, por megjithatë është akoma jostabile, në veçanti duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe është varianti më dominues në Kosovë.
IKSHPK ka thënë se është duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.
Situata epidemiologjike, sipas tyre, mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor.
Andaj, IKSHPK ka apeluar tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim”, thuhet në njoftim.
Poashtu ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen, duke thënë se vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin./21Media