​Iniciohet shkarkimi i Bordit të RTK-së

 
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim.
Kërkesa për shkarkim të Bordit të RTK-së ka ardhur nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ndërsa është përkrahur vetëm nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Administratë Publike, derisa deputetët e opozitës e kanë quajtur vendim politik.
Kryetarja e komisionit Doarsa Kica-Xhelili, ka lexuar arsyet që janë dhënë nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e bordit të RTK-së, derisa tha se shihet qartë që ka shkelje të Ligjit për RTK nga të njëjtit.
“Dështimi i auditimit gjeneral, insistimi i menaxhmentit për mos auditim që është dështimi për të përpiluar strategji afatgjate për zhvillim dhe financim të RTK-së dhe shkeljen e nenit 12 mbi produksionet e pavarura dhe Ligjin e prokurimit publik. Të gjitha këto duke rënë nënkompetencat e Bordit të RTK-së në përputhje me nenin 28 dhe 29 të Ligjit për RTK-në dhe nga adresimi i Komisionit për Buxhet po shihet që janë identifikuar shkeljet e nenit 28 dhe 29”, ka thënë ajo.
Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, e ka quajtur vendim politik inicimin e shkarkimit të bordit të RTK-së.
Edhe deputeti i LDK-së Agim Veliu, ka thënë se një vendim i tillë është tërësisht politik dhe me qëllim të kapjes së mediumit publik.
Vlerësimet e deputetëve të opozitës se vendimi është politik i ka kundërshtuar deputeti i LVV-së Valon Ramadani, i cili ka thënë se në Televizionin Publik ka abuzime të shumta dhe se Prokuroria duhet të merret me këtë çështje.
Vlerësimi nga opozita se vendimi për inicimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së është politik ka përplasur kryetaren e këtij komisioni me deputetët e opozitës.
Kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se është e papranueshme që nuk përmenden shkeljet e shumta që janë bërë nga Bordi i RTK-së por vetëm quhet vendim politik.
Asaj i ka reaguar deputeti i LDK-së, Agim Veliu, i cili tha se ai ka mendimin e tij dhe se nuk ka nevojë që të mbahen ligjërata se si duhet të flasin e sillen në Komision.
Në mbledhje të këtij komisioni, kryetarja Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar edhe për deklaratën e zëvendësdrejtorit të RTK-së Mentor Shala drejtuar asaj, e cila tha se asgjë nuk mund të ndikojë në mendimin e sa të lirë për çështje esenciale.
“Arsyeja pse nuk kam reaguar është se ditën e kam lexuar reagimin për mua nuk ka qenë as i rëndësishëm, pse, sepse për mua personalisht kush e si flet, kush e çka poston në asnjë rrethanë mua nuk ma ndikon mendimin tim të lirë dhe të drejtë për çështje kaq esenciale. Në qoftë se dikush ka diçka për të kundërargumentu për ato që i them unë, unë e gatshme me dalë në debate publike dhe në debate private kur ato kërkohen në mënyrë të denjë. Për shkak se kanë reaguar në masë të madhe shoqëria civile, mediat dhe qytetarët e thjeshtë të Republikës së Kosovës, unë po dua me ardhë te pika të tjetër që të premten unë nuk kam qenë zëri i qytetarëve të Kosovës, kanë qenë ata zëri im, dhe mendoj që ky është një borxh reciprok”, ka thënë ajo.
Me miratimin e të gjithë anëtarëve të këtij Komisionit i është dërguar kërkesa kryesisë së Kuvendit që bordet të cilat i raportojnë këtij komisioni të përfshihen në listën që mbikëqyret nga memorandumi i bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe./KP
 

Back to top button