​KEDS dhuron 50 kompjuterë për SOS Fshatrat e Fëmijëve

 

 

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), gjatë ditës së sotme ka bërë shpërndarjen e një kontingjenti prej 50 kompjuterëve për fëmijët e familjeve të SOS Fshatrave. Siç u tha, ky donacion është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të KEDS për përgjegjësinë shoqërore të korporatës, e cila deri më sot ka dhuruar mbi 150 kompjuterë për institucionet arsimore gjithandej vendit.

Kjo nuk është hera e parë që ata kanë dhuruar pajisje për këtë institucion, pasi që në dhjetor të vitit të kaluar kompania kishte pajisur fëmijët e SOS fshatrave me dhjetëra tabletë. Nga KEDS kanë thënë se iniciativa të tilla do të ketë edhe në të ardhmen me qëllim që fëmijëve t’u krijohen mundësitë që njohuritë teorike t’i gërshetojnë me ato praktike përmes kabineteve të cilat do të krijohen aty ku është nevoja.

Ky donacion u mirëprit nga përfaqësuesit e SOS Fshatrave të Fëmijëve, të cilët kanë deklaruar se këta kompjuterë janë të mirëseardhur tash kur fëmijët po zhvillojnë mësimin online si shkak i pandemisë COVID-19.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se qëllimi i këtij donacioni është që fëmijët të kenë mundësi për të pasur qasje në mësimin online. Po ashtu, ai tha se përmes këtij donacioni dëshirojnë t’i ndihmojnë fëmijët dhe familjet e SOS Fshatrave të Fëmijëve të jenë të lidhur me botën.

“KEDS ka vendosur që t’i ndajë 50 kompjuterë për fëmijët e SOS Fshatit, këta kompjuterë do të shpërndahen për familjet e SOS Fshatit. Qëllimi kryesor i këtij donacioni është që fëmijët, përkatësisht familjet, të jenë të lidhura me botën, jetojmë në kohë pandemie ku lidhja me botën mundësohet më së lehti përmes kompjuterit ashtu edhe më e sigurta. Kjo është arsyeja, që jetojmë në epokën digjitale dhe përderisa jetojmë në këtë epokë sigurisht që pasja e një kompjuteri përkatësisht qasja në të është më e domosdoshmja për të qenë në rrjedhat me kohën”, ka thënë Buzhala.

Albana Zogu-Morina nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, ka thënë se donacioni prej 50 kompjuterëve është jashtëzakonisht i mirëseardhur.

Ajo bëri të ditur se fëmijë pa përkujdesje prindërore të strehuar në SOS Fshatrat e Fëmijëve janë 60 fëmijë, ndërsa fëmijë të cilët i mbështesin, fëmijë të cilët janë në rrezik dhe kanë nevojë për përkrahje tha se janë afër 950 fëmijë, të vendosur në tri lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe në Graçanicë.

Back to top button