​KEDS: Importi i energjisë elektrike gjatë muajit nëntor ka kushtuar rreth 10 milionë euro

KEDS dhe KESCO kanë deklaruar se kostoja e energjisë elektrike është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të saj në tregun ndërkombëtar, e si rrjedhojë, në krahasim me vitin e kaluar, kur çmimi i importit të energjisë elektrike për muajin nëntor ka qenë 2.3 milionë euro, këtë vit kjo shumë ka shënuar rritje deri në 10 milionë euro.
KEDS dhe KESCO përmes një komunikate për media kanë përsëritur edhe njëherë nevojën për kursim të energjisë elektrike.
“Thirrjet tona për kursim po bëhen me qëllim që t’u lehtësohet barra financiare konsumatorëve tanë në faturat mujore në këtë periudhë, por edhe në të ardhmen. Në anën tjetër, tani që sfida e sigurimit të importit me çmime të larta po bëhet edhe më e madhe për KEDS-in dhe KESCO-n, thirrja për kursim dhe përkrahja e konsumatorëve së bashku me mbështetjen e institucioneve është e domosdoshme”, thuhet në komunikatë.
Sipas KEDS, rritja e shpejtë e çmimeve të importit në këtë nivel ishte e paparashikueshme nga të gjithë politik-bërësit.
“Dihet se për plotësimin e kërkesës për energji elektrike, importi i energjisë elektrike në orë të caktuara ka qenë gjithmonë i pashmangshëm, por në krahasim me vitin e kaluar, kur çmimi i importit të energjisë elektrike për muajin nëntor ka qenë 2.3 milionë €, këtë vit kjo shumë ka shënuar rritje deri në 10 milionë €. Kjo shumë e lartë as për së afërmi nuk është paraparë nga askush, brenda dhe jashtë kufijve, dhe ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, kontrolli i të cilëve është jashtë vullnetit dhe ndikimit tonë. Me rënien e temperaturave nën zero, kërkesa do të jetë edhe më e madhe për import të energjisë”, thuhet në komunikatë.
Në mënyrë që sistemi të jetë në gjendje të përballojë ngarkesat nga faktorë të shumtë, qofshin ato për shkak të çmimeve të papërballueshme, ose nga konsumi i lartë i energjisë elektrike, KEDS kërkon vëmendjen dhe bashkëpunimin e të gjithëve.

Back to top button